Një grup të rinjsh, në të cilin kanë qenë edhe dy femra, kanë sulmuar shtëpinë e azilantëve në Sangerhausen të krahinës gjermane Saksoni-Anhalt, me ç’rast njëri nga sulmuesit, siç duket, ka përdorur përshëndetjen naziste “Hajl Hitler”, lajmërojnë sot mediat gjermane.
Kundër sulmuesve, të cilët kanë bërtitur parulla me përmbajtje urrejtjeje ndaj të huajve, është ngritur procedurë, transmetojnë mediat, duke përkujtuar se edhe para disa ditëve në Halberstadt, në krahinën e njëjtë, persona të rinj kanë gjuajtur me gurë ndaj shtëpisë së azilantëve dhe bashkëpunëtorëve të Kryqit të Kuq, me ç’rast një vajzë 20-vjeçare është lënduar.
Mërgimtarët kanë qenë cak i sulmeve të djathtistëve në Hamburg, Bon, Drezden, Munster, Majnhajm, Shtutgart, Ingëlshtat, Nyrnberg dhe qytete të tjera gjermane.
Çështja e vendosjes së emigrantëve ka nxitur debate serioze politike, pasi qytetarët shpesh kundërshtojnë që në afërsi të tyre të vendosen refugjatët, në shtëpitë e të cilave, sipas medias, kanë shpërthyer të paktën dhjetë zjarre.
Në valën e emigrantëve të cilët sivjet vërshuan Gjermaninë, politikanët para së gjithash drejtoj në gishtin nga ata që vijnë nga Ballkani, duke kërkuar deportimin e tyre të menjëhershëm, për shkak se në vendet ballkanike nuk ka as luftëra, e as përndjekje politike.
Këto ditë lideri i Unionit Kristiano-Social (CSU) dhe kryetar i qeverisë së Bavarisë Horst Seehofer ka kërkuar “masa rigoroze” në mënyrë që të zvogëlohet numri i azilantëve nga Evropa Juglindore dhe tha se madje 40 për qind të kërkuesve të azilit vijnë nga Ballkani Perëndimor.
“Kështu nuk shkon më”, ka thënë Seehofer, duke shtuar se numri i kërkesave të aprovuara është baraz me zero dhe kërkoi masa rigoroze që të pengohet ardhja e azilantëve.
