Tahiri: Zgjedhjet më të mira në 25 vite, kontribut edhe i Policisë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Tashmë që procesi zgjedhor ka hyrë në rrugën e përfundimit, dhe fituesit pothuajse janë shpallur, një deklaratë falënderuese ka ardhur edhe nga ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili më shumë se sa garën vlerësoi sjelljen e qytetarëve, të cilët zhvilluan zgjedhje të qeta e pa incidente sikurse ka ndodhur më herët në Shqipëri.
Tahiri tha se me këto zgjedhje u arritën standardet më të larta, kjo edhe falë punës dinjitoze të Policisë së Shtetit.
Këto janë zgjedhjet më të mira të 25 viteve të fundit, pa asnjë incident dhe asnjë akt dhune apo akt problematik që mund të cenonte sadopak vullnetin e zgjedhësve në të 61 bashkitë. Si të tilla, këto zgjedhje janë dëshmia më e qartë se kur vullneti i institucioneve shkon në shërbim të qytetarëve pa dallim partiak, në shërbim të demokracisë dhe shtetit ligjor e jo në shërbim të interesave të ngushta partiake, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë tërësisht të mundura në Shqipëri. Këtë të diel, fituan zgjedhjet e lira e të ndershme, fitoi demokracia dhe shteti ligjor, ndaj fitues nuk është vetëm fituesi i çdo gare në të 61 bashkitë, por kanë fituar që të gjithë,” tha Tahiri në fjalën e tij.
Tahiri falënderoi gjithashtu edhe përfaqësuesit e opozitës. Ai tha se pati rastin të komunikoj intensivisht me ta gjatë procesit zgjedhor, duke dëshmuar se na ndajnë partitë, por kur na bën bashkë vullneti për zgjedhje të lira e të ndershme, respektimi i zërit të qytetarëve nëpërmjet votës është tërësisht i mundur.
Po ashtu ministri vlerësoi maksimalisht edhe punën e bërë nga 7 mijë punonjësit e Policisë.
“Dua të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, drejtuesit e Policisë së Shtetit në qendër e në çdo Qark e Bashki, por mbi të gjitha të falënderoj mbi 7.000 punonjësit e Policisë së Shtetit burra dhe gra në çdo cep të Shqipërisë, që u shërbyen qytetarëve dhe kontribuuan ba shkë me ta, për të arritur standardet më të larta zgjedhore në këto 25 vitet e fundit. Partitë politike, kandidatët dhe veprimtaria e tyre, janë elemente kyç në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ndaj dëshiroj të falënderoj të gjitha partitë politike dhe të gjithë kandidatët në të 61 bashkitë që, me përjashtime të vogla, kontribuuan që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme,” tha më tej Tahiri.
Më tej ministri i Brendshëm tha se problemet, sado të vogla, të konstatuara në këto zgjedhje, si dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, por mbi të gjitha gjetjet e misionit të monitorimit të OSBE/ODIHR, do të jenë agjenda e punës për Qeverinë dhe Parlamentin për të garantuar në të ardhmen zgjedhje në përmbushje të standardeve më të larta zgjedhore.