Tri komunat në veri të Mitrovicës, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku ende janë duke punuar me rregullore të UNMIK-ut.
Të hyrat që inkasojnë këto komuna bazohen në një rregullore të skaduar të UNMIK-ut. Kështu ka identifikuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP)gjatë auditimit.Sipas këtij raporti të auditorit në Komunën e Leposaviqit ka mungesë rregulloresh dhe dobësi në menaxhimin e të hyrave.
“Rishikimi ynë për menaxhimin e të hyrave vetjake ka identifikuar dobësitë në planifikimin dhe inkasimin e të hyrave si në vijim: Komuna nuk ka hartuar një rregullore të brendshme për taksa dhe tarifa. Mbledhja e të hyrave edhe më tej bëhet në bazë të një rregullore të UNMIK-ut”, thotë auditori.
Ndër të gjeturat tjera për këtë komunë, është identifikuar që komuna nuk ka zbatuar plotësisht Ligjin për Prokurim Publik dhe si pasojë janë paraqitur dobësitë.
“Komuna nuk kishte një plan të prokurimit publik. Në vitin 2014 janë nënshkruar 18 kontrata me vlerë prej 913,586 euro. Shumica prej tyre janë nënshkruar në fund të vitit. Si pasojë, vetëm 324,564 euro janë shpenzuar në vitin 2014 ndërsa pjesa e mbetur e projekteve pritet të realizohet në vitin 2015”, thuhet në raport.
Komuna e Leposaviqit kishte blerë një veturë në vlerë 43 mijë e 990 euro
“Në programin për Investime Publike (PIP) komuna kishte planifikuar blerjen e një veture 21,593 euro nga programi i Administratës dhe një veture 20 mijë euro nga programi i Zyrës për Komunitete. Komuna kishte blerë vetëm një veturë në vlerë 43,990 euro”, thuhet në raport.
Auditori për komunën e Leposaviçit ka identifikuar edhe dobësi tjera lidhur me menaxhimin e stafit. Kjo komunë ende nuk e ka kompletuar zyrën e burimeve njerëzore me ç‟rast nuk ka drejtor të administratës dhe menaxher të personelit. Po ashtu Komuna kishte emëruar një person si drejtor të Drejtoratit për Investime dhe Zhvillim Ekonomik ndërsa ky program nuk është paraparë me buxhetin e komunës.
Zveçani nuk posedon rregullore për inkasimin e të hyrave
Ndërsa, edhe komuna e Zveçanit nuk posedon një rregullore të azhurnuar për inkasimin e të hyrave. “Të hyrat që inkason komuna bazohen në një rregullore të skaduar të UNMIK-ut. Të hyrat nga tatimi në pronë, taksat për leje të ndërtimit dhe taksa tjera nuk planifikohen dhe si rezultat nuk inkasohen të hyra dhe mbledhja e t ë hyrave bëhet në para të gatshme. Të hyrat e mbledhura nuk raportohen e as nuk deponohen në mënyrë të rregullt në llogarinë e komunës”, thotë auditori për këtë komunë.
Po ashtu njësoj sikur komuna e Zveçanit edhe ajo Zubin Potokut ka problem me pagat dhe stafin arsimor.
