Pas temperaturave të larta në disa pjesë të Italisë, rajoni i Venecisë është goditur nga një mot i ligë dhe një tornado, që ka shkaktuar viktima dhe dëme.
Një tornado ka goditur të mërkurën në mbrëmje një rajon afër qytetit italian të Venecisë, me ç’rast humbi jetën një person dhe u lënduan mbi 30 të tjerë, prej të cilëve tre kanë pësuar lëndime më të rënda.
Sipas raporteve të medieve lokale, viktima ishte një person më i moshuar, automjeti i të cilit u ngrit në ajër nga tornadoja, për të rënë më pas në tokë.
Tre persona pësuan lëndime më të rënda, ndërsa 27 të tjerë lëndime të lehta.
Disa shtëpi dhe ndërtesa tjera u dëmtuan nga tornado, me shumë banorë lokal të cilët u detyruan që natën ta kalojnë te miqtë dhe familjet në rajonet fqinje.
Nga moti i ligë u kapluan edhe Hungaria dhe Polonia, ku autoritetet gjithashtu raportuan për nga një të vdekur në që të dy vendet./ 21 Media
