Të zgjohesh herët nuk është gjithmonë një gjë e mirë. Ja çfarë thonë ekspertët.
T’u kërkosh njerëzve nën moshën 55-vjeçare të fillojnë punën përpara orës nëntë të mëngjesit, është e ngjashme me torturën, sipas një nga ekspertëve më të mirë të gjumit në Britani.
Ata që e detyrojnë stafin të punojë nga ora nëntë deri në pesë, shkaktojnë te punëmarrësit rraskapitje dhe stres, të gjitha këto për shkak të deprivimit të gjumit, thotë doktor Paul Kelley.
Akademiku nga Universiteti i Oksfordit tha se mungesa e gjumit është një kërcënim për performancën e mirë në punë për të gjithë ata persona deri në moshën 55-vjeçare. Pas kësaj moshe, njerëzit kanë nevojë për më pak gjumë.
Doktor Kelley, tha: “Ne nuk mund ta ndryshojmë ritmin tonë 24-orësh. Nuk mund të mësojmë të zgjohemi në një orë të caktuar. Trupi ynë i përshtatet dritës së diellit dhe ne nuk jemi të vetëdijshëm për këtë, sepse i përket hipotalamusit, jo shikimit”.
Doktor Kelley, një kërkues klinik në Institutin e Neuroshkencës dhe Gjumit në Universitetin e Oksfordit, tha se ekzistonte nevoja që shoqëria të ndryshojë kohën e fillimit të shkollës dhe punës, për t’u përshtatur me orën natyrore të trupit.
Kompanitë që i detyrojnë punonjësit të fillojnë të punojnë herët, rrezikojnë të dëmtojnë performancën e tyre dhe t’u sjellin atyre probleme shëndetësore.
Ai thotë se “ky është një problem i madh i shoqërisë sonë, puna duhet të fillojë në dhjetë të mëngjesit. Nuk duhet të punoni përpara kësaj ore pa kaluar moshën 55-vjeçare”.
Punonjësve zakonisht u privohet gjumi. Ne jemi një shoqëri e privuar nga gjumi. Kjo dëmton shumë sistemet tona trupore, sepse prek sistemet fizike, emocionale dhe performancën e trupit.
“Mëlçia dhe zemra juaj kanë funksionim tjetër dhe ju u kërkoni atyre të ndryshojnë rutinën me dy ose tri orë. Ky është një problem ndërkombëtar. Kushdo po vuan dhe ne nuk kemi përse e bëjmë këtë gjë.”
Dr. Kelley bëri thirrje për të ndryshuar orën e fillimit të shkollës dhe punës, pasi këtë e imponon vetë ritmi 24-orësh i trupit të njeriut. Trupi ka një matës të ritmit, që është i përbërë nga receptorë të specializuar në sy, gjë që ndikon më pas në të gjithë trupin.
Mungesa e gjumit është zbuluar se prek vëmendjen dhe kujtesën afatgjatë, nxit abuzimin me drogën dhe alkoolin. Mund të shkaktojë gjithashtu zemërim, ankth, acarim, sjellje impulsive, shtim në peshë, presion të lartë të gjakut, stres dhe probleme mendore.
