Kryeministri Isa Mustafa në ceremoninë qendrore për rivarrimin e heroit Isa Boletini ka thënë se Isa Boletini po bëhet urë bashkimi për të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike apo prejardhjes rajonale.
“Ai na bashkon edhe sot kur po mbyllet udhëtimi i tij shekullor drejt vendlindjes së tij”, tha Mustafa.
Sipas tij kullat e Isa Boletinit në Boletin nga sot do të bëhet panteon i shqiptarizmës ku të gjithë shqiptarët do të përkulen para tij.
Kryeministri Mustafa ka folur edhe për periudhën kur Shqipëria kishte shpallur pavarësinë e shtetit ndërsa 28 Nëntorin e ka lidhur me 17 Shkurtin kur u shpall pavarësia e Kosovës.
Të dyja këto data sipas Mustafës lidhen me emrin e heroit Isa Boletini,
“Për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Isa ishte vetë shtylla kryesore e asaj ngjarje ndërsa gjatë gjithë kohës figura e Isa Boletinit ka qenë model i jetës dhe flijimit për lirinë e Kosovës për shumë patriotë shqiptarë”, tha Mustafa.
Ndërsa presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani duke folur gjatë ceremonisë tha se është një nder i madh që sot gjendet në këtë ditë madhështore ku siq tha ai heroi i kombit po kthehet në shtëpi pas njëqind vitesh.
“Na ka munguar ky altar i lutjes kombëtare në Boletin dhe kjo do të ishte e pamundur pa kthimin e heroit në vendlindje”, tha Nishani.
Sipas tij Isa Boletini ishte simbol i amzës kombëtare ndërsa e ka quajtur si krenari kombëtare më orët më tragjike të shqiptarisë.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulëzim Basha gjatë fjalimit të tij në stadiumin “Adem Jashari” tha disa fjalë për heroin e kombit, Isa Boletinin.
“Nga sot baca Isë do të prehet në tokën e tij, në Kullën e tij të pamposhtur, në Kosovën e lirë. Sot Mitrovica dhe familja Boletini realizojnë amanetin e tij, amanetin e gjithë shqiptarëve. Ky amanet është dyfish i përmbush, pasi që do të jetë në Kosovën e pavarur. Burra si Isa Boletini janë gjeneza e pavarësisë. Pavarësia e Shqipërisë kujtohet edhe me emrin e Isa Boletinit. I premtuan Isës armë e prona, por nuk e ndërroi kurrë me gurët e Boletinit sepse kishte besë dhe i kishte dhënë besë nga Mitrovica e deri në Vlorë. Ndihem krenar që jam sot bashkë me ju, që kam gjak si gjak i tij, dhe që do të përulem pranë varrit të tij për t’ju treguar fëmijëve tanë me krenari për heroin e kombit shqiptar, kush ishte Isa Boletini. Ai do të jetë mes nesh siç e meriton, siç ishte dhe është amaneti i tij, lavdi për jetë”, u shpreh ndër të tjera, Basha.
Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se heronjtë kthehen të fundit nga beteja dhe i tillë është edhe heroi Isa Boletini.



