" Në Shqipëri ende nuk i njohim të drejtat e fëmijëve "

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Rasti i Jetimores së Shkodrës ku 3 kujdestarë u filmuan teksa ushtronin dhunë ndaj fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç ka skandalizuar këdo qe e ka parë atë skenë. Në këndvështrimin e sociologëve ky rast tregon për mjaft probleme që kemi ne si shoqëri, pasi ende jemi shumë larg konceptit të njohjes dhe respektimit të të drejtave të fëmijëve.
Dhuna ka qenë pjesë e mentalitetit të shoqërisë shqiptare, jo vetëm në shkollë e në institucione, por edhe në familje, ku rrahja e fëmijëve dukej deri diku normale dhe shihej si një shenjë edukimi apo qortimi ndaj gabimeve të më të vegjëlve. Por edhe pse gjërat kanë ndryshuar, rasti në fjalë na tregon se ka akoma një pjesë të shoqërisë shqiptare që ende nuk janë shkëputur nga përdorimi i dhunës në familje apo në vendin e punës. Ky mentalitet dhe kjo mënyrë të vepruari në ditët e sotme është totalisht e papranueshme dhe e dënueshme njëkohësisht.
Nëse do të flasim për shkaqet që i çuan këta kujdestarë deri në ushtrimin e një dhune mizore siç tregohet në video, sociologia Entela Binjaku thotë se ato mund të jenë të ndryshme, duke filluar që nga mentaliteti i këtyre grave e deri te formimi i tyre, apo tek neglizhenca dhe mungesa e kontrollit mbi atë se çka ndodh në këto Jetimore apo në institucione të tjera të ngjashme.
Sociologia Binjaku mendon se ne si shoqëri pavarësisht se kemi bërë përparime, jemi ende larg konceptit të të drejtave të fëmijëve. Diku i mbrojmë e i respektojmë e diku tjetër i shkelim. Entela Binjaku thotë se ësht ë pikërisht edukimi dhe informimi ajo çka do ta ndihmonte shoqërinë tonë, pasi duhet kuptuar qartë se e drejtë e fëmijëve nuk është vetëm ti shpëtosh dhunës; por edhe mirëqenia ekonomike, shpirtërore e harmonia në familje e në mjedisin ku rriten fëmijët tanë.
Përtej të gjithave duket se edhe kjo histori, sado e trishtë dhe e frikshme, tregoi një të vërtetë pozitive; faktin që shoqëria shqiptare tregoi shumë solidaritet ndaj skenave të dhunës ndaj fëmijëve; duke e dënuar në mënyrë absolute këtë veprim e nga ana tjetër edhe instancat shtetërore vepruan shumë shpejt për të dhënë ndëshkimet e merituara, personave përgjegjës.