14 vjet më pas – Analizë e Marrëveshjes kornizë së Ohrit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, bashkë me OSBE-në dhe me Institutin Evropian për Paqe, është duke përgatitur analizë në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që duhet të jetë gati në muajt e ardhshëm, e që do të prezantohet në dhjetor, në konferencën ndërkombëtare për kohezion social. Këtë sot e paralajmëroi zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Musa Xhaferi, në prononcim për gazetarët. Në konferencë morën pjesë Piter Fejth, si përfaqësues i Institutit për Paqe dhe ambasadorja e OSBE-së në Republikën e Maqedonisë, Nina Suomallajnen. Analiza do të përfshijë disa fusha, përkatësisht përfaqësimin e drejtë, decentralizimin, përdorimin e gjuhëve, arsimin, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e bashkësive më të vogla etnike.
“Duhet ndërtuar pandërprerë, të ushqehet, të motivohet dhe të pasurohet thelbi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit si marrëveshje më adekuate dhe më e balancuar  në Maqedoni. Ajo është e rëndësishme, për shkak se nuk e ndan sistemin në baza etnike, por në tërësi e ruan integritetin territorial të vendit. Prandaj ne angazhohemi që të gjitha parimet të përmirësohen në frymën e Badinterit, me çka pakicat do të qëndrojnë në konsensus”, vlerëson zëvendëskryeministri Xhaferi.
Për diplomatin Fejth, kjo marrëveshje është një bazë shumë e mirë për përpjekjet e Maqedonisë që të hyjë në BE. Ambasadorja e OSBE-së në Maqedoni, Nina Suomallajnen është e kënaqur me suksesin e Marrëveshjes kornizë. “Misioni i OSBE-së në Maqedoni e mbështet fuqishëm qeverinë në këto përpjekje dhe shpresojmë se do të kemi rezultate të mira në praktikë, në sferën e integrimit të të gjitha grupeve në këtë shoqëri multikulturore. Disa politika tanimë po realizohen në praktikë, siç është rasti me arsimin e integruar dhe pritet implementim i tërësishëm i tij”, theksoi  Suomallajnen.
Sipas negociatorit të atëhershëm të PPD-së, Naser Ziberit, Marrëveshja e Ohrit nuk e ka dhënë atë që është pritur. Thotë se me të u shmang lufta qytetare, por pozita e pakicave nuk është përmirësuar dhe se demokracia nuk është avancuar. Ziberi konsideron se me marrëveshjen vetëm po mbushet administrate shtetërore për qëllime politike.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit është pjesë edhe e marrëveshjes së arritur më 2 qershor për tejkalimin e krizës aktuale politike.
Gabriela Dimkoviq – Mishevska