Grupi parlamentar i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë të jashtëzakonshme para Ambasadës së Sllovenisë në Prishtinë, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapat e menjëhershëm për zbatimin e rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës për lirimin dhe kthimin e menjëhershëm të Ramush Haradinajt në Kosovë.
Po ashtu, AAK ka shprehur kundërshtimin e përdorimit të dhunës ndaj objekteve të bizneseve sllovene.
Shefja e Grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, para gazetarëve tha se po e përcjellin mesazhin e grupit parlamentar të AAK-së për institucionet e vendit, që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për zbatimin e rezolutës së miratuar në Kuvend.
Ajo akuzoi Qeverinë se u mundua ta ndalojë Kuvendin dhe deputetët që ta miratojnë rezolutën për kthimin sa me të shpejtë të Haradinajt në shtëpi.
Ajo po ashtu ka bërë thirrje për qetësi të qytetarëve për mospërdorimin e dhunës, “pavarësisht se kanë filluar të humbin nervat nga pak”.
Protesta e zyrtarëve të lartë të AAK-së dhe mbështetësve të saj para Ambasadës sllovene do të vazhdojë edhe me tutje deri në lirimin dhe kthimin e Ramush Haradinajt në shtëpi.
