Afër 18 mijë qytetarë i përgjigjen peticionit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Afër 18 mijë qytetar kanë nënshkruar peticionin e organizuar nga partitë opozitare kundër “Zajednicës” dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Edhe gjatë ditës së sotme, ndonëse ditë vikendi, në 10 tendat e vendosura në Prishtinë, shihen shumë qytetarë të interesuar për të nënshkruar këtë peticion.
Qytetarët shprehen të revoltuar me marrëveshjet e fundit, të cilat janë bërë mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Sipas tyre, nuk falet toka për të cilën kanë derdhur gjak shumë shqiptarë.
Nga partia opozitare më e madhe në vend, Vetëvendosje, thonë se kjo është një nga mënyrat për t’i treguar Qeverisë se populli i Kosovës nuk e do “Zajednicën”.
Nol Nushi, aktivist i kësaj partie, tha për KosovaPress se interesimi nga ana qytetarëve është jashtëzakonisht i madh dhe po rritet gradualisht. Sipas tij, ky peticion do të zgjasë 10 ditë deri në dy javë, varësisht se çka ndodhë me situatën politike në vend.
Qytetari Ramadan Jashanica, i cili e nënshkroi peticionin, tha se Kosovës po i bëhen shumë padrejtësi. Sipas tij, të gjithë qytetarët duhet të bashkohen dhe ta luftojnë këtë marrëveshje, e cila e merr tokën e Kosovës.
Të njëjtin mendim ndante edhe qytetari tjetër, Musa Bajraktari. Sipas tij, kryesore është fakti që është luftuar për ato toka, të cilat sot po ua falim serbëve.
Ejup Konica thotë se sipas të Drejtës Ndërkombëtare, Qeveria duhet ta marrë parasysh këtë peticion.
Partitë opozitare kërkojnë nga qytetarët që të dalin sa më shumë ta nënshkruajnë këtë peticion. Sipas tyre, duhet të ndalet kjo e keqe që po i bëhet shtetit të Kosovës.