Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi, mbajtën diskutim publik me banorët e lagjes “Kolovicë” në të cilin u diskutuan çështje të ndryshme që ndërlidhen me infrastrukturën dhe shërbimet publike në këtë lagje.
Në fillim të këtij diskutimi, drejtori Hysen Durimishi tha se në këtë lagje ka shumë prona publike të uzurpuara të cilat kryesisht pengojnë në realizimin e disa projekteve të planifikuara pasi që, siç u shpreh ai, krimi më i madh në Kosovën e pasluftës është bërë pikërisht me pronat publike të pronësuara kundërligjshëm. Megjithatë, përkundër këtyre pengesa, Durmishi tha se Komuna e Prishtinës është duke intervenuar qoftë edhe përkohësisht në ato rrugë dhe rrugica duke i shtruar me kubëza me qëllim të lehtësimit të jetës së banorëve të kësaj lagjeje. Ai i njoftoi të pranishmit edhe me projektet e kanalizimeve.
Disa prej problemeve që i raportuan qytetarët e pranishëm në këtë diskutim publik ishin mungesa e kontejnerëve të mbeturinave, neglizhenca e kompanisë “Pastrimi” për ta pastruar këtë lagje, mundësia e hapjes së një institucioni parashkollor, ndriçimi i disa rrugëve, vendosja e barrierave në rrugën kryesore me qëllim të ngadalësimit të shpejtësisë së automjeteve. Gjithashtu, ata u ankuan edhe në projektet e realizuara gjatë qeverisjes së kaluar, duke thënë se në të shumtën e rasteve kanë qenë projekte gjysmake që nuk kanë qenë në funksion të lehtësimit të jetës së banorëve të kësaj ane. Kërkesë më e zëshme ishte krijimi i hapësirave të gjelbra dhe shndërrimi i tyre në parqe.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Ardian Gashi i informoi të pranishmit se është
hapur tenderi për shporta të mbeturinave, të cilat parashihen të vendosen edhe në këtë lagje.
Ai i informoi se Komuna e Prishtinës është duke e përpiluar edhe planin strategjik pesë vjeçar për menaxhimin e mbeturinave.
Po ashtu, Gashi tha Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në krijimin e hapësirave të gjelbra dhe revitalizimin e sipërfaqeve të gjelbra. Ai ndërmendi se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit është shpenzuar pikërisht për pastrimin e mbeturinave inerte si dhe apeloi tek qytetarët që të bashkëpunojnë me Komunën dhe organet e tjera kompetente për të raportuar çdo keqbërës që tenton të ndotë ambientin.
