Deklarata e Tërnavës për Sulltan Muratin,BIK nuk e konfirmon

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në ceremoninë e 626 vjetorit të rënies së Sulltan Muratit I, e cila u mbajt në tyrben e Sulltan Muratit në afërsi të Prishtinës, sipas disa mediave, myftiu i Kosovës Naim Tërnava e ka quajtur Sulltan Muratin “çlirues i trevave shqiptare”.
Sipas tij, është obligim të kujtohet Sulltan Murati I, i cili ka çliruar popullin shqiptar nga okupatori sllav që kishte zaptuar trevat shqiptare duke zbritur nga malet e Rusisë me qëllim që shqiptarët t’i asimilojë plotësisht dhe t’i zhdukë.
“Me ardhjen e Sulltan Muratit, zullumqari i quajtur Car Lazar u fshi nga faqja e dheut”, citohet të ketë thënë myftiu Tërnava, duke shtuar se “për 500 vjet të tjera, shqiptarët dhe turqit bashkëjetuan dhe bashkëqeverisën këto troje”.
Për ta konfirmuar këtë deklaratë, KosovaPress është munduar të kontaktojë me vetë myftiun Tërrnava, i cili, edhe pas tentimeve të shumta, nuk është përgjigjur në telefon.
Ndërsa KosovaPress, pasdite, rreth orës 17:30, u mundua të kontaktojë edhe me zëdhënësin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, i cili, edhe pse iu përgjigj telefonatës nuk pranoi të japë asnjë informatë nà « lidhje me këtë çështje, me arsyetimin se “sot është vonë”. Po ashtu, ai tha se deklarata të tilla mund të marrin vetëm në Bashkësinë e tyre, pasi që deklaratat përmes telefonit u janë keqpërdorur shpeshherë.
Sadriu shtoi se një mundësi të tillë gazetarët do ta kenë në ditën e nesërme, gjatë kohës kur myftiu i Kosovës të japë mesazhin për fillimin e Muajit Ramazan. Pas këtyre fjalëve ai edhe e mbylli telefonin.
Pas deklaratës së myftiut Tërnava, shumë media dhe komentues në rrjetet sociale janë shprehur të indinjuar, duke thënë se me këtë thënie ai ka përdhosur historinë shqiptare. Në anën tjetër ka dhe komentues të cilët e përkrahin Tërnavën, duke cituar fjalët e tij se Sulltan Murati ka vdekur në rrugën e Zotit.
Sulltani i Perandorisë Osmane, Sulltan Murati I, u vra me 8 gusht të vitit 1389 në Fushë Kosovë në betejën kundër ushtrisë së Car Llazarit, në të cilin mbet i vrarë edhe ky i fundit.