Në seancën gjyqësore kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 dhe 2000 në veri të Mitrovicës, të enjten ka dëshmuar Fatime Jashari, e cila tha se më 3 shkurt të vitit 2000 ka qenë në banesën e saj tek ‘Tre rrokaqiejt’ në veri të qytetit.
Sipas saj, atë ditë rreth orës 15:00, ajo kishte parë nga ballkoni i banesës që ndodhej në katin e pestë se si një grup të rinjsh serbë e kishin rrahur bashkëshortin e saj deri në alivanosje, duke përdorur mjete të forta të metalta.
“Burri po kthehej atë kohë nga puna ndërsa me të zbritur nga autobusi para ndërtesës, një grup prej disa serbësh e kanë rrahur brutalisht duke përdorur edhe ‘boksa të hekurt’. Kam dëgjuar një të shtënë të armës e cila nuk e di nëse është shkrepur nga shqiptarët apo serbët, dhe në atë moment kam parë Oliver Ivanoviqin i cili ishte duke kaluar atypari dhe i cili ka bërtitur në serbishte ‘mjaft’. Pas kësaj ata janë ndalur menjëherë dhe kanë filluar të ikin, ndërsa Oliveri ka vazhduar rrugën në drejtim të urës”, ka thënë dëshmitarja Jashari, duke shtuar se më pas asaj i kishte rënë të fikët dhe nuk i kujtohet asgjë.
Ajo ka potencuar se Oliveri nuk kishte qenë pjesë e rrahjes së bashkëshortit të saj.
Në pyetjen e prokurorit nëse e njeh mirë Oliverin, dëshmitarja tha se po, mirëpo edhe pasi i dyshuari u ngrit në këmbë, dëshmitarja nuk ishte në gjendje ta identifikojë, duke thënë se pas rastit të 3 shkurtit të vitit 2000, ajo kishte marrë sëmundjen e sheqerit dhe kishte humbur në masë të pamurit.
Trupi Gjykues urdhëroi të dyshuarin që t’i afrohet dëshmitares, dhe pasi ky i fundit iu ofrua, dëshmitarja u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me të përzemërsisht për disa sekonda, ndërsa të dytë komunikuan në gjuhën shqipe. Dëshmitarja i tha të dyshuarit se do të flas vetëm për atë që ka parë dhe asgjë tjetër.
Në pjesën e dytë të seancës dëshmitari Emin Jashari ka rrëfyer ngjarjen duke potencuar se situatat e luftës dhe pas saj që kishte përjetuar, kanë lënë pasoja të rënda tek ai, të cilat akoma vazhdon t’i vuajë.
Sipas tij, autobusi që shkonte më 15 janar të vitit 2000 nga jugu në veri ishte përplot me shqiptarë, ndërsa ishte nën përcjelljen e autoblindave të KFOR-it francezë.
Përkundër kësaj, shtoi ai, një grup serbësh e kanë sulmuar autobusin me gurë fillimisht tek ura e Ibrit, ndërsa kur udhëtarët kanë zbritur tek ‘Tre rrokaqiejt’ në drejtim të banesave të tyre, ata janë grushtuar e rrahur nga grupe tjera që ishin stacionuar para këtyre ndërtesave.
“Ishte situatë shumë e rëndë kur sheh duke ta rrahur babain deri në alivanosje, e ti s’ke si t’i ndihmosh”, ka thënë mes tjerash Jashari.
Ai tha se nuk i njeh personat të cilët kanë marrë pjesë në incidentin e asaj dite dhe të cilët e kishin rrahur babain e tij, ndërsa vetë ishte detyruar që përmes lumit Ibër të kaloj në pjesën jugore të qytetit për të shpëtuar.
Avokati i viktimave, Burhan Maxhuni tha se dëshmitarët e sotëm, p or edhe të tjerët gjatë seancave të kaluara, kanë sjellur prova të mjaftueshme deri tani, të cilat vërtetojnë fajësinë e të dyshuarit Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Ka prova të shumta jo vetëm nga ky dëshmitar, por edhe nga dëshmitarët tjerë, në bazë të të cilave duhet të dënohet Oliver Ivanoviq së bashku me bashkëpunëtorët e tij për rastet në fjalë”, ka thënë Maxhuni.
Seanca e radhës do të vazhdojë të martën më 28 korrik.
