Dëshmon edhe dëshmitarja tjetër në rastin e Oliver Ivanoviqit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Në seancën gjyqësore kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë viteve 1999 dhe 2000 në veri të Mitrovicës, të enjten ka dëshmuar Fatime Jashari, e cila tha se më 3 shkurt të vitit 2000 ka qenë në banesën e saj tek ‘Tre rrokaqiejt’ në veri të qytetit.
Sipas saj, atë ditë rreth orës 15:00, ajo kishte parë nga ballkoni i banesës që ndodhej në katin e pestë se si një grup të rinjësh serbë e kishin rrahur bashkëshortin e saj deri në alivanosje, duke përdorur mjete të forta të metalta.
“Burri po kthehej atë kohë nga puna, ndërsa me të zbritur nga autobusi para ndërtesës, një grup prej disa serbësh e kanë rrahur brutalisht duke përdorur edhe ‘boksa të hekurt’. Kam dëgjuar një të shtënë të armës e cila nuk e di nëse është shkrepur nga shqiptarët apo serbët, dhe në atë moment kam parë Oliver Ivanoviqin i cili ishte duke kaluar atypari dhe i cili ka bërtitur në serbishte ‘mjaft’. Pas kësaj ata janë ndalur menjëherë dhe kanë filluar të ikin, ndërsa Oliveri ka vazhduar rrugën në drejtim të urës”, ka thënë dëshmitarja Jashari, duke shtuar se më pas asaj i kishte rënë të fikët dhe nuk i kujtohet asgjë.
Ajo ka potencuar se Oliveri nuk kishte qenë pjesë e rrahjes së bashkëshortit të saj.
Në pyetjen e prokurorit nëse e njeh mirë Oliverin, dëshmitarja tha se po, mirëpo edhe pasi i dyshuari u ngrit në këmbë, dëshmitarja nuk ishte në gjendje ta identifikoj, duke thënë se pas rastit të 3 shkurtit të vitit 2000, ajo kishte marrë sëmundjen e sheqerit dhe kishte humbur në masë të pamurit.
Trupi gjykues urdhëroi të dyshuarin që t’i afrohet dëshmitares, dhe pasi ky i fundit iu ofrua, dëshmitarja u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me të përzemërsisht për disa sekonda, ndërsa të dytë komunikuar në gjuhën shqipe. Dëshmitarja i tha të dyshuarit se do të flas vetëm për atë që ka parë dhe asgjë tjetër.
Seanca do të vazhdojë në ora 14:00, ndërsa dëshmitarë do të jetë Emin Jashari, djali i dëshmitares së parë në ditën e sotme.