Për nder të shënimit të “Ditës së Çlirimit të Prishtinës” Komuna e Prishtinës bashkë me organizatat e dalura nga lufta dhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve, ku nderuan sakrificën e atyre që dhanë për çlirimin e vendit, përderisa kërkuan që kriminelët të mos krahasohen me veteranët.
Ndërsa, Sekretari i OVL-së, Sabit Krasniqi është shprehur i pakënaqur me kontributin e vendit për dëshmorët dhe se për të është e pa pranueshme dhe e dhimbshme që dëshmorët të krahasohen me kriminelët.
“Sakrifica e madhe që dha UÇK është e madhe dhe e pajustifikueshme dhe ne si pjesë e organizatës së luftës sot jemi mjaftë të pakënaqur me gjitha rrjedhat që kanë shkuar deri sot. Nuk është zgjidh statusi akoma i veteranëve të luftës dhe sot bëhen edhe akte tjera të papranueshme për organizatën e veteranëve të luftës, të cilat janë vërtet të dhimbshme të krahasohen me kriminelët që vranë, djegën, dhunuan dhe masakruan familjet shqiptare”, tha Krasniqi.
I pranishëm në këto homazhe ishte edhe asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunalë të Prishtinës, Lirak Çelaj, i cili këtë ditë e konsideroi si më të madhën për Prishtinën, pasi që ky sip as Çelajt ishte edhe përfundimi i ditëve të tmerrshme që ka përjetuar Prishtina dhe gjithë Kosova.
“Sot duhet të konsiderohet si festa më e madhe e Prishtinës, është përfundimi i ditëve të tmerrshme që ka përjetuar Prishtina dhe krejt Kosova. Ka filluar përfundimi i terrorit serb ndaj qytetarëve dhe kjo është arsyeja që ne po vizitojmë ata që janë më meritorët për çlirimin e vendit”, tha Çelaj.
Për “Ditën e Çlirimit të Prishtinës, mes tjerash, do bëhen homazhe edhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, përurimi i pllakës tek ish- zyra politike e UÇK-së, si dhe përurimi i vetëshërbimit të parë digjital në ndërtesën e vjetër të Komunës.
Kjo ditë do të përmbyllet me një koncert në sheshin “Zahir Pajaziti”.
