Dhjetëra nxënës të helmuar në “Arseni Jovkov”, autorët dhe motivet nuk dihen

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Dhjetëra nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov “ kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata janë ankuar në djegie të syve dhe të fytit, si dhe probleme me frymëmarrjen.
Disa prej nxënësve thonë se e kanë parë autorin e veprës dhe se e dinë se për kë bëhet fjalë. Ata nuk deshën të flasin para kamerave, por thanë se gazin lotsjellës e ka hedhur një nxënës i shkollës. Këtë gjë e konfirmoi edhe njëri nga prindërit. “Fëmijët të cilët kanë qenë aty brenda disa, thonë se e kanë parë, e imja jo, s’i ka parë. Kam qenë këtu vazhdimisht prej fillimit, ka qenë me probleme në frymëmarrje.  Tash momentalisht është stabile, por është shumë e frikësuar”, deklaroi ky prind për TV 21.
Edhe pse ishin të pranishëm, ministri i Arsimit i Abdulaqim Ademi dhe kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski nuk dhanë deklaratë për mediat. Për të shpjeguar se çka ndodhi në “Arseni Jovkov”, nuk e gjeti të arsyeshme as drejtoresha e shkollës, Jovanka Asprovska. Tentuam të kontaktonim atë edhe nëpërmjet telefonit, por ajo nuk përgjigjej.
Në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” thonë se gazi i përdorur është i panjohur. Në Spitalin Ushtarak janë dërguar 11 nxënës, kurse në qendrën spitalore të Shkupit janë 15 nxënës. “Ky është helmi i frymëmarrjes, asgjë nuk mund të themi që të dëshmojmë. Ky është helmim përmes frymëmarrjes dhe për këtë nuk mund të themi asgjë. Mundem vetëm të supozoj. Sipas meje, mendoj se 99 % ka gjasa që nuk do të mund të zbulohet shkaku i kësaj. Me siguri është ndonjë lojë fëmijërore që ka mbaruar kështu dhe e dini se është edhe e rëndë gjendja, kur ke si në këtë rast 10 persona të prekur. Nuk ka nevojë të bëhet panik”, deklaroi mjeku Nestor Popovski.
Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin detaje, ata thonë se ekipet e tyre janë në teren dhe se po punohet në zbardhjen e rastit.