Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, në konferencën e përbashkët për media të partive opozitare, ka thënë se arsye kryesore që opozita nuk mori pjesë, sot, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, është shpërputhja midis luksit institucional dhe të qeveritarëve dhe realitetit të dhimbshëm në të cilin jetojnë qytetarët e vendit.
“Dita e Çlirimit të Kosovës, pasi kaloi nëpër kompromise e dallavere politike të pasluftës, u konvertua me kushtetutë në Ditë të Paqes. Folklorizmi politik e ka shndërruar Kosovën edhe me letra në një geto eksperimentesh të karteleve parapolitike, kurse qytetari i këtij vendi është faktori i fundit dhe krejt i parëndësishëm, në krejt këto 16 vjet liri”, ka potencuar shefja e GP të AAK-së.
“Ajo ka thënë se “pas clirimit, Kosova u bë pronë poseduese e disa klaneve, që edhe sot vazhdojnë të jenë në pushtet. U bë pronë poseduese edhe me letra, ligje e dokumente, deri edhe me kushtetutë. Shembujt e fundit janë treguesi më i mirë i kësaj”.
Në Ditën e Çlirimit të Kosovës, deputetja Kadaj-Bujupi, ka thënë se pushteti do të duhej të ftonte seancë për të diskutuar dhe zgjidhur shumë çështje dhe të pazgjidhura që ka Kosova dhe qytetari i saj.
