​Familjarët e ofenduar nga deklarata e Xhavit Halitit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Komisioni i Familjarëve të Dëshmorëve të Kombit është ndier i zhgënjyer me nënkryetarin e Kuvendit Xhavit Haliti.
Në një konferencë të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e këtij komisioni i kanë kërkuar sqarime deputetit Xhavit Haliti rreth deklaratës që bëri sot në seancë, pas pyetjes së deputetit të Vetëvendojses Mytaher Haskuka për mos njohjen e statusit të dëshmorëve të rënë para luftës së fundit në Kosovë.
Haliti i tha deputetit Haskuka që të mos lexojë emra të cilët kanë vdekur nëpër spitale.
Kryetari i Komisionit të Familjarëve të Dëshmorëve të Kosovës, Naim Zhitia i indinjuar me këtë deklaratë, tha se deputeti Haliti duhet të dal urgjentisht dhe të jap shpjegime se kujt iu referua kur tha të mos përmenden emra që kanë vdekur nëpër spitale.
Nipi i Tahir Mehës, Ilir Meha ia ka kujtuar Xhavit Halitit, nëse kanë vdekur në spital, Tahir Meha e Nebih Meha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, e shumë dëshmorë tjerë të rënë në periudha të ndryshme.
Madje, ai shtoi se të gjithë që kanë marr votën e popullit e që udhëheqin shtetin, nuk kanë ardhur rastësisht aty, por nga gjaku i dëshmorëve dhe votat e popullit.
Ndërsa, Behram Krasniqi ka kërkuar nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, që të kërkojë falje sepse me deklaratën e tij ka indinjuar thellë familjarët e dëshmorëve të kombit.
Në seancën e sotme, në pikën për pyetje parlamentare, deputeti i Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, bëri një pyetje për kryeministrin Isa Mustafa se pse nuk po iu njihet statusi i dëshmorit të gjithë atyre që kanë rënë në forma dhe periudha të ndryshme para luftës së fundit, madje ka përmendur disa emra. Pas kësaj, Xhavit Haliti i cili po udhëhiqte seancën i tha atij se nuk ka nevojë t’i lexojë emra të atyre që kanë vdekur në spitale.