Një ditë para nisjes për në Baku të Azerbajxhanit, çiklisti ferizajas Qëndrim Guri është shprehur i bindur se do ta përfaqësojë denjësisht shtetin e Kosovës në lojërat olimpike të Evropës.
Ai ka pranuar flamurin e Kosovës nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili me këtë rast i ka uruar suksese dhe përfaqësim dinjtoz.
“Me punën e tij, përgatitjen e tij fizike dhe stërvitjet që ka bërë, në të gjitha garat ka treguar se është emri më i merituar që do ta përfaqësoj qytetin e Ferizajt në lojërat olimpike në Baku, së bashku me trajnerin e tij. Në një mënyrë ky do të jetë reprezentues i denjë i Kosovës në këtë garë të rëndësishme”, ka thënë Sfarqa
Trajneri i çiklistit, Avni Nuhaj, ka thënë se Qëndrimi është i përgatitur mjaft mirë dhe se kjo ngjarje është e rëndësishme për qytetin e Ferizajt.
“Me Qëndrimin është bërë një punë shumë e madhe dhe besoj se ia ka vlejtur që pas 16 viteve të ekzistimit të klubit po përfaqësohemi në këto gara. Ky moment shënon një avancim të sportit të çiklizmit dhe nga këtu i uroj të gjitha klubet që të punojnë shumë ma shumë në mënyrë që ta prezantojnë sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Nuhaj.
Çiklisti Qëndrim Guri ka thënë se është i vetëdijshëm për sfidën që e pret ngase bëhet fjalë për një shteg me gjatësi prej 215 km.
“Do të jetë një sfidë e madhe për neve, jemi për herë të parë në një garë të tillë dhe besoj se nuk do t’ju zhgënjejmë me rezultatin” ka thënë Qëndrimi.
Me këtë rast u tha edhe se çiklizmi në Ferizaj gjithnjë po masovizohet si sport dhe këtë po e tregojnë rezultate dhe pjesëmarrja në garat ndërkombëtare. Trajneri, Avni Nuhaj, ka paralajmëruar se edhe në olimpiadën për të rinj që do të mabahet në Gjeorgji, Kosovën do ta përfaqësojë një ferizajas tjetër,ndërsa Svarqa është zotuar se komuna me mundësitë e veta do t’i mbështesë të gjithë sportistët ferizajas që po tregojnë rezultate të mira në arenën ndërkombëtare.
