FIBA ndihmon basketbollin kosovar me 24.950 euro

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Shtëpia më e madhe e basketbollit evropian, FIBA, ka konfirmuar se do të mbështesë me 24.950 euro Federatën e Basketbollit të Kosovës. Ky lajm është bërë i ditur nëpërmjet një shkrese zyrtare ku FIBA ka pohuar se do të përkrahë (FBK), gjegjësisht punën e saj me kategori të reja.
Ata e kanë vlerësuar si të suksesshëm aplikimin e FBK-së në atë që njihet si “Youth Development Fund” ose Fondi për Zhvillim të Gjeneratave të Reja.
“Shpresojmë që projekti juaj ‘Zhvillimi i garave U14 dhe U12’ do të jetë një sukses i madh dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të basketbollit në vendin tuaj”, thuhet në letrën e nënshkruar nga drejtori ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak.
Youth Development Fund i FIBA-s- Evropës është fond zhvillimor për gjenerata të reja, në të cilin të drejtë aplikimi kanë të gjitha vendet anëtare të FIBA Evropës në baza vjetore. Projekti i FBK-së që ka marrë mbështetjen e FIBA Evropës në vete parasheh shtimin e numrit të ndeshjeve për grupmoshën U14, shtimin e numri të turneve për grupmoshën U12 dhe zhvillimin e kampeve edukative dhe përzgjedhëse për grupmoshën U14.
FBK po ashtu planifikon që në kampet edukative të ftojë edhe instruktorë të FIBA Evropës për kategori të reja, për çka paraprakisht kemi marrë dritën e gjelbër nga FIBA Evropian.
Projekti do të zgjas 9 muaj dhe do të nis të zbatohet në vitin 2015 për të përfunduar në qershor të 2016.