Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, partia e majtë, Siriza, fitoi 145 ulëse në Parlament, ndërsa partia konservatore në opozitë, Demokracia e Re, siguroi 75 ulëse.
Pas tyre rreshtohen Agimi i Artë, PASOK, Partia Komuniste, ndërsa partia Grekët e Pavarur, e cila ishte në koalicionin e kaluar qeveritar me Sirizën, siguroi 10 ulëse.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 55.4 për qind dhe ishte më e ulët se në zgjedhjet e janarit, kur votuan 63.6 për qind të grekëve me të drejtë vote.
Kryetari i Sirizës, Aleksis Cipras, sërish doli fitimtar edhe nga këto zgjedhje dhe për herë të dytë brenda këtij viti do të merr mandatin për formimin e Qeverisë.
Gjatë fjalimit të tij të parë pas publikimit të rezultateve, Cipras tha se Siriza ka marr një mandat të ri katërvjeçar për të këndellur vendin, por tha se kjo nuk mund të bëhet me magji, por me punë dhe angazhim.
Cipras Qeverinë me gjasë sërish do ta formojë me partnerin e deritanishëm në koalicion, Grekët e Pavarur.
Kryetari i Parlamentit të Evropës, Martin Shulc, kritikoi Ciprasin për shkak të aleancës me këtë parti të ekstremit të djathtë.
Shulc tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ciprasin dhe se e ka pyetur se pse po qëndron në koalicion me këtë parti të çuditshme të ekstremit të djathtë.
Për dallim nga Siriza e Ciprasit, Grekët e Pavarur kundërshtojnë anëtarësinë e Greqisë në Bashkimin Evropian dhe shpesh bëjnë deklarata ksenofobike dhe anti-semitiste./21Media
