Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka deklaruar se autoritetet amerikane janë në “fazat përfundimtare” të zhvillimit të planit për të mbyllur burgun ushtarak të Guantanamos.
“Kjo është diçka që zyrtarët e sigurisë kombëtare janë duke punuar për një kohë të gjatë, para së gjithash për shkak se kjo është një nga prioritetet e Presidentit të SHBA-ve”, tha Earnest.
Gazeta amerikane “New York Times” më herët njoftoi se plani i administratës Obama për të mbyllur burgun e diskutueshëm të Guantanamos është para “kolapsit”. Obama paralajmëroi mbylljen e burgut në gjirin kubanez menjëherë pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2009, por ai hasi në rezistencë të fortë nga Kongresi, ku republikanët kanë shumicën, të cilët nuk pajtohen me këtë veprim.
Earnes tha se Amerika për mirëmbajtjen e burgut Guantanamo, shpenzon më shumë se 100 milion dollarë, ndërsa aktualisht në këtë burg ndodhen 116 të burgosur. Ai argumenton se me siguri ka mënyra më të mira për mbrojtjen e interesave dhe të sigurisë kombëtare. Sipas deklaratave të Earnest, Obama do të vërë veto mbi vendimin e Kongresit, në rast se kjo shkon në drejtim të parandalimit të mbylljes së burgut dhe miratimin e financimit për vazhdimin e mirëmbajtjeve të njësive të burgut.
