Hapet një fabrikë në Podujevë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vlerësoi lart hapjen e fabrikës së tekstilit “Sprint” në fshatin Letanc të Podujevës. Kjo fabrikë do të prodhojë veshje sportive.
Mustafa tha se janë të rëndësishme investimet dhe iniciativat biznesore për furnizimin e tregut dhe rritjen e konkurrencës së brendshme në tregun kosovar.
“Unë e konsideroj shumë të rëndësishme kyçjen e USAID-it dhe përkrahjen e këtij projekti, duke pasur parasysh se Agjencioni Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar ka përkrahur shumë projekte zhvillimore në shumë komuna, shumë iniciativa, sidomos të rinjve, grave dhe ndërmarrësve privat. Kjo nxit zhvillimin e sektorit privat tek ne, sepse ky sektor duhet ta merr përgjegjësinë dhe barrën e zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri Mustafa.
Ai me këtë rast tha se është me rëndësi të madhe që komuna e Podujevës, po merr masa për krijimin e kushteve më të volitshme për investitorët vendorë s a i përket edhe lirimit nga taksat komunale. Sipas Mustafës, edhe në nivelin qendror me programin qeveritar janë përcaktuar që të krijojnë kushte më të mira për bizneset.
“Jemi të interesuar të kemi një zhvillim të biznesit të brendshëm i cili pastaj do të ndikojë në rritjen e punësimit dhe ngritjenefekteve ekonomike, sepse zhvillimi jonë nuk mund të bëhet jashtë zhvillimit privat. Qeveria e Kosovës do të punojë shumë, në mënyrë që të përkrah sektorin e biznesit privat, përkrah punësimin dhe përkrah zhvillimin, sepse nuk ka forcim të shtetit, forcim të demokracisë dhe integrimit tonë pa zhvillim ekonomik”, tha kryeministri Mustafa.
Edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu u shpreh i kënaqur me investimet që janë bërë për punësimin e qytetarëve të kësaj komune.
“Jemi duke punuar në përmirësimin e kushteve për themelimin e bizneseve të reja dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të bizneseve ekzistuese, duke krijuar lehtësira për afarizëm të suksesshëm. Në këtë drejtim jemi në përfundim të strategjisë për zhvillimin ekonomik… Përveç që kemi planifikuar programe të reja për ndërmarrësi për vitin 2016, kemi planifikuar edhe Fondin për Zhvillim Ekonomik Lokal që do të jetë në funksion të bizneseve fillestare dhe atyre ekzistuese. Duke u bazuar në kompetencat ligjore të nivelit lokal, ne jemi në proces të ndryshimit të rregullores për taksat dhe tarifa komunale ku një prej pikave parasheh edhe lirimin nga taksa komunale për 3 vjet për bizneset që udhëhiqen nga femrat si dhe ato nga mërgimtarët që investojnë kapitalin e tyre në komunë”, tha Veliu.
Ndërsa, drejtori i USAID-it, në Kosovë, James Hopp, theksoi se gjithë hapja e një fabrike të re është një ngjarje e gëzueshme dhe është një hap në drejtim të rritjes së punësimit dhe zhvillimit.
“Zgjerimi i kapaciteteve, punësimi i një numri më të madh të punëtorëve , e gjitha kjo është shprehje e një optimizmi dhe një synimi për arritjen e rezultateve më të mëdha këtu në Kosovë. Që do të thotë rritja e prodhimtarisë për tregjet kosovare, për tregjet përreth këto regjionale dhe një rritje e prodhimtarisë së biznesit. Mbi të gjitha është e rëndësishme sepse kjo do të thotë se krijon vende të reja të punës dhe familjet kanë një rritje të të hyrave”, tha Hoop.
Edhe Albulena Sopa në emër të kompanisë “Sprint”, ka falënderuar të gjithë ata që kanë përkrahur familjen e tyre për hapjen e fabrikës së tekstilit. Ndryshe, kjo fabrikë për momentin ka arrit të punësojë 20 punëtorë, ku drejtues të kësaj kompanie premtojnë shumë shpejt që ky numër të rritet në 200.