Para pak çastesh ka aterruar në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, aeroplani ku gjendej kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj, që u ndalua nga autoritetet sllovene me një fletarrest të Serbisë të vitit 2004, është lënë i lirë sot nga ky shtet i Bashkimit Evropian.
Më parë është raportuar se atij i është ofruar një aeroplan privat, por një gjë të tillë e kishte refuzuar.
Atje po e presin në Rinas disa prej bashkëpartiakëve që do të nisen menjëherë drejt Kosovës.
Me të zbritur në territorin shqiptar, Haradinaj ka kritikuar Jahjagën për falënderimin e saj drejtuar Sllovenisë.
“Nëse ka diçka personale për ta falënderuar le ta falënderojë, por jo për mua. Sepse, çfarë kanë pasur të më bëjnë, unë jam i vendit tim”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e Mustafën.
“E kam konsideruar gabim deklaratën e Mustafës që ka thënë se është bërë në bazë të ligjit. Nëse për të është ligj urdhërarresti i Serbisë dhe Cërna Gorës, atëherë le të shkojë edhe ai atje”, ka thënë Haradinaj për mediat që kishin dalë ta presin.
