I grabisin 22 mijë euro qytetarit në Ferizaj

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Burime policore nga Drejtoria Rajonale e PK-së kanë njoftuar se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22:40 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”në Ferizaj, ka ndodhur një rast i grabitjes, me ç’rast viktimës A. M. 34 vjeç i janë grabitur rreth 22 mijë euro para.
Ngjarja, sipas viktimës, ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Vëllezërit Gërvalla” dhe “Kadri Zeka”.
“Viktima u ka deklaruar hetuesve se derisa po ktheheshin me të vëllain nga qendra e qytetit me biçikleta drejt shtëpisë së tyre, me të arritur te vendi i lartpërmendur, janë sulmuar befasisht nga tre persona të dyshuar. Sulmuesit, duke e goditur me grushta e shqelma, e kanë rrëzuar viktimën dhe ia kanë marrë çantën me para nga beli, në të cilën, sipas viktimës ndodheshin: 17 mijë franga zvicerane, 8 mijë euro, 200 dollarë amerikanë, dy kartela bankare si dhe dokumente personale të viktimës dhe të vëllait të tij”, ka thënë Nexhat Xhokli nga Zyra Rajonale për Informim e PK-së.
Pas kryerjes së veprës penale, të dyshuarit kanë ikur në drejtim të rrugës “Kadri Zeka”, ndërsa viktima dhe disa qytetarë të tjerë kanë provuar t’i ndiqnin të dyshuarit, mirëpo në ikje e sipër ata kanë shtënë me revole dhe kanë ikur.
Njësitet përkatëse policore dhe Forenzika në vendin e ngjarjes kanë gjetur dy gëzhoja kalibrash të ndryshëm, ndërsa hetuesit rajonalë janë duke punuar në grumbullimin e provave dhe të dëshmive tjera nga vendi i ngjarjes.