Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracy Ann Jackobson, u është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës se nëse nuk e votojnë gjykatën speciale, Kosova do të pësojë, pasi Këshilli i Sigurimit mund ta krijojë një tribunal për të.
Jackobson ka thënë në emisionin Rubikon të KTV-së se në këtë rast shteti i saj do të jetë i pafuqishëm për të bllokuar iniciativën e kahershme të Rusisë për këtë çështje, e që, sipas saj, do të jetë edhe politikisht më e rrezikshme për Kosovën.
Ajo ka lutur deputetët që të votojnë amendamentet dhe ligjin sa më parë, pasi Kosova nuk do ta ketë më mbështetjen e SHBA-së.
Jacobson ka shprehur bindjen e saj se deputetët serbë do të kthehen në Kuvend pas javës së ardhshme, konkretisht pas takimit të dy kryeministrave në Bruksel.
Ambasadorja amerikane ka shprehur shqetësimin e saj për protestën e së shtunës, të thirrur nga opozita, duke u kërkuar protestuesve që të kenë kujdes imazhin e Kosovës. Duke mos dashur të mbrojë policinë, e as të mbajë anë, Jackobson ka thënë se ka pasur gabime edhe nga policia, por sipas saj, ai që hedh gurin i pari është përgjegjësi kryesor.
