Konsultime në Mbrojtje SHBA – Maqedoni

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Integrimi në NATO, proceset reformuese në mbrojtje, bashkëpunimi bilateral dhe angazhimi në operacionet paqësore të kryesuara nga Aleanca dhe Kombet e Bashkuara, kanë qenë temat në të cilat në Pentagon kanë biseduar delegacione të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Departamentit amerikan për Mbrojtje, të kryesuara nga ministri, Zoran Jolevski dhe Evelin Farkash, zëvendësndihmëse e Sekretarit të Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë.
Ministri Jolevski, kumtoi sot Ministria e Mbrojtjes, në takim ka theksuar se prioritet strategjik i Republikës së Maqedonisë është anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë, ndërsa mbështetet nga Kuvendi i Maqedonisë, partitë politike, por edhe nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë.
Në kontekst të ndërhyrjeve reformuese dhe hapave të ardhshëm, ministri Jolevski ka theksuar se bëhet fjalë për proces i cili vijon në kontinuitet.
“Pjesë e këtij procesi është edhe procesi i modernizimit të Armatës, e cila është planifikuar të zhvillohet në pajtim me standardet e NATO-s”, ka thënë ministri Jolevski në konsultimet mbrojtëse, qëndron në kumtesë.
Si një prej drejtimeve të mundshme të ardhshme të zhvillimit të bashkëpunimit, është përmendur edhe partneriteti trilateral me Gardën Nacionale të Vermontit dhe Senegalit. Në këtë kontekst, ministri Jolevski ka theksuar se Maqedonia është duke e shqyrtuar mundësinë për pjesëmarrjen e ardhshme në operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht me vende partnere si SHBA-ja dhe Italia.
Zëvendësndihmësja e Sekretarit të Mbrojtjes, Farkash edhe njëherë e ka vërtetuar mbështetjen e pakursyer për Maqedoninë drejt arritjes së qëllimit të saj – anëtarësimit në NATO.
“Jam krenare për partneritetin tonë. Maqedonia na ka mbështetur që në fillimet e misionit ISAF, për momentin është pjesë e Mbështetjes së vendosur, ndërsa ishte pjesë edhe e misionit Liri për Irakun. Këtë e vlerësojmë shumë”, ka theksuar Farkash gjatë konsultimeve.
Në kuadër të takimeve në Pentagon, ministri Jolevski është takuar edhe me zëvendësnënsekretarin kryesor të Mbrojtjes, Brajan MekKian, me ç’rast janë këmbyer mendime për gjendjen gjeopolitike dhe ndikimin e saj mbi sigurinë e rajonit, në Evropë dhe botë.
“Hyrja e Maqedonisë dhe e Malit të Zi në NATO në masë të madhe do të ndikojë mbi përforcimin e sigurisë dhe stabilitetit në nivelin rajonal”, ka shtuar ministri. Nënsekretari MekKian ka thënë se SHBA-ja e vlerëson pjesëmarrjen e pjesëtarëve të ARM-së në Afganistan, ku një pjesë e kontingjentit të Maqedonisë është për detyrë për sigurimin e shtabit kryesor të komandës në Kabul.
Ministri Jolevski ka realizuar takim edhe me senatorin, Bill Nelson, në të cilin është folur për marrëdhëniet bilaterale, mënyrat dhe modalitetet për zhvillimin e saj në të ardhmen. Njëherësh, ministri i ka theksuar edhe argumentet se pse Republika e Maqedonisë meriton të jetë pjesë e NATO-s.