“Sektori i të drejtave pronësore është i drejtë dhe efikas atëherë kur qytetarët i kanë të garantuara të drejtat e tyre pronësore dhe me lehtësi i gëzojnë ato në praktikë. Legjislacioni i harmonizuar dhe institucione me mandat të definuar qartë sigurojnë garantimin dhe gëzimin në praktikë të kësaj drejte thelbësore, si dhe kontribuojnë në kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi”, ka thënë sot ministry I drejtësis Hajredin Kuçi në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID-in, me rastin e fillimit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore.
Sipas ministrit Kuçi,” strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, drejtohet nga tri prioritete thelbësore, të ndërlidhura, që Republika e Kosovës i ka vënë para vetes: fuqizimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian. Pa sundim të ligjit nuk ka zhvillim ekonomik dhe mungesa e zhvillimit ekonomik cenon sundimin e drejtë të ligjit. Secili hap që garanton sundimin e drejtë të ligjit dhe hapë rrugë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është në të mirën e shoqërisë sonë dhe na sjellë më afër Bashkimit Evropian”.
Ministri Kuçi, ka garantuar mbështetje të plotë gjatë këtij procesi, njëkohësisht duke pritur veprime konkrete nga akterët relevant në hartimin e strategjisë dhe definimin kohor për miratimin dhe implementimin e kësaj strategjie.
Ministri Kuçi, në fund, tha “Qytetari i Republikës së Kosovës ka nevojë për mbrojtje të jetës së tij dhe për këtë kemi ligje të mira, ai ka nevojë për mbrojtje të lirisë së tij ku edhe për këtë kemi ligje të mira, por ai ka nevojë edhe për ligje që e mbrojnë, përcaktojnë dhe definojnë qartë pronën e tij”.
