Nisi pastrimi i rrënojave dhe shembja e shtëpive të cilat mbetën të dëmtuara nga aksioni policor në Lagjen e Trimave. Banorët thonë se i shohin me dhimbje shembjet e shtëpive, por nga ana tjetër, presin me padurim ngritjen e një çatie mbi kokë.
“Këtë shtëpi vet e kam ndërtuar në vitin 1970. Jam i kënaqur që na është vlerësuar dhe do të na paguajnë, më pas ta ndërtojmë të re. Më vjen shumë keq kur e shoh si rrëzohet. Në vitet 70 kam punuar në Gjermani dhe me para të fituara atje e kam ndërtuar”.
“Mjafton vetëm ta shohim dhe ndjehemi keq. Është tmerr i madh, mirëpo më mirë t’i rrënojmë dhe t’i ndërtojmë te reja se sa të mbesin kështu”, transmeton Alsat-M.
Ka ende familje të cilat ankohen nga puna e komisionit për vlerësimin e dëmeve. Njërës prej familjeve, shtëpia e së cilës do të rrënohet, i është premtuar ndihmë vetëm për njërin kat, atë të sipërm, por familjarët thonë se shtëpia ka nevojë të shembet e gjitha, për shkak të dëmtimit të themelit.
“Dyshemeja e katit të dytë, pasi e pastrova pash se kishte plasaritje gjithandej. Unë nuk mund ta kuptoj se kush dhe si e kanë vlerësuar, por si duket në përgjithësi vetëm e kanë kryer si procedurë. Nuk është normal. Mund të qëndrosh në katin e poshtëm! Po nuk mundesh, pasi ka pëlcitur shtëpia gjithandej, si në këtë dhomë ashtu edhe në të tjerat. Këtu nuk mundem as të vazhdoj me ndërtim, pasi që nuk i dihet se mban apo jo ky bazament. Katin e dytë nuk do ta mbaj dot, pasi e gjitha ka pëlcitur”.
Deri në fund të javës pritet të përfundoj pastrimi i rrënojave dhe shembja e shtëpive. Ditë më parë Qeveria morri vendim për kompensim të dëmeve për të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave u shkatërruan nga aksioni policor i datës 9 dhe 10 maj në Kumanovë.
