Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, ka pritur sot një delegacion të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi, të kryesuar nga Genci Nimanbegu, kryetar dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi.
Shala dhe Nimanbegu kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet institucioneve kulturore të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi. Të dy janë dakorduar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve kulturore mes Kosovës dhe shqiptarëve të Malit të Zi.
Ministri kosovar ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe po ashtu me institucionet shtetërore, në funksion të përmirësimit të jetës kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.
Ai është dakorduar që të ndihmojë aktivitet kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi, me përfshirjen e grupeve artistike e kulturore nga Republika e Kosovës, njoftoi MKRS.
