Kosova ende nuk merr dritën jeshile për liberalizimin e vizave, edhe pse tani e tre vite ka nisur dialogun për këtë çështje me Bashkimin Evropian.
Për anëtarin e Komisionit për integrime Evropiane, Ilir Dedën, kjo zvarritje e liberalizimit të vizave po bëhet për shkak të mosgatishmërisë së BE-së për t’u mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm.
Sipas deputetit të Vetëvendosjes, është për shkak të mosgatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Pas dërgimit të raportit për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me 5 qershor të këtij viti nga Ministria e Integrimeve Evropiane tek shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, në Kosovë këto ditë po qëndron ekipi i ekspertëve faktmbledhës për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Ilir Deda thotë se nuk di çfarë të presë nga misioni faktmbledhës. Sipas tij, duhet të pritet raporti.
Megjithatë, Ministria e Integrimeve Evropiane është optimiste dhe pret rezultate pozitive nga misioni faktmbledhës i dërguar nga Komisioni Evropian, e që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet gjatë këtij viti.
Ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku,vlerësonë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se çdo zvarritje e mëtutjeshme është e pajustifikueshme. Ai është i mendimit se drita jeshile dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të jepet gjatë këtij viti.
Ndërkaq, profesori i së Drejtës së Bashkimit Evropian, Avni Mazreku, thotë që deri më tani të gjitha kushtet është dashur të plotësohen, por që ka munguar vullneti politikë i Qeverisë së Kosovës.
Kosova ka nisur dialogun për Liberalizimin e Vizave me BE-në në Janar të vitit 2012, ndërsa në qershor të vitit 2012 ka pranuar zyrtarisht Udhërrëfyesin për Liberalizim të Vizave, me gjithsej 95 kritere dhe 60 rekomandime.
