Nesër në Bruksel mbahet takimi i radhës mes dy kryeministrave, Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiqit. Përfaqësuesit e të dy qeverive kanë thënë se nga takimi i 23 qershorit, presin rezultate pozitive.
Valon Murtezaj, këshilltar për punë të jashtme i Kryeministrit Mustafa, tha për Radio Kosovën se pala kosovare fillimisht do të kërkojë rezultatin e marrëveshjeve të arritura më herët e pastaj të diskutohet për tema përkatëse.
“E para është zbatueshmëria e marrëveshjeve dhe çështja tjetër është që të tentohet të arrihet progres në disa fusha ma konkrete siç është çështja e telekomit, pra kodit telefonik në të cilin ka përparim në nivelin teknik mirëpo gjërat nuk janë të kryera ende pastaj është aspekti i energjisë edhe aty ka disa lëvizje pozitive mirëpo nuk është kryer ende dhe prandaj do të vendoset në nivelin e kryeministrave , gjithashtu largimi barrierave që pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në radhë të parë këtu po flasim për barrikadën në urën e Ibrit, këtu BE-ja, ka një rol pothuajse kryesor do të prezantoj projektin dhe fazat se si do të bëhet largimi i barrikadës dhe pastaj eventualisht mund të diskutohet edhe për tema të tjera të cilat janë pjesë e marrëveshjes apo marrëveshjeve të mëhershme”.
Sa i përket Asociacionit të Komunave, Murtezaj tha se qëndrimi i plas kosovare është që ky asociacion të formohet në bazë të marrëveshjes së arritur më herët, gjithnjë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
