Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dje më 20 korrik 2015, ka urdhëruar ndalimin kryetarit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës, Sali Mekaj.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se urdhër ndalimin për 48 orë e ka bërë për shkak të dyshimit të bazuar se kryetari Mekaj ka kryer veprat penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale, “Ushtrimi i ndikimit”,nga neni 431 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Po mbrëmë është ndaluar edhe e dyshuara V. G., për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale” “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 3, lidhur me nenin 31 “Bashkëkryerja”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë rast prokurorja e rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillim të hetimit”, thuhet në njoftimin e PSK-së.
Kreu i Gjykatës së Apelit u raportua se mbrëmë është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe është bastisur shtëpia e tij në Pejë.
