Në vend të fjalës për Avdullah Babaliun

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ardian Gjini
Në pranverë të vitit 1999 në fshatin Ramoc, brigada 137 u ndesh në betejë me forcat serbe. Pasi kishim marshuar për më shumë se 30 orë arritëm në Ramoc i cili ishte djegur pothuajse tërësisht nga ushtria serbe. E vendosëm një kamp provizor ushtarak në mënyrë që ushtarët të kishin mundësi të çlodheshin pas marshimit të gjatë.
Por nuk kaluan as dy orë dhe forcat serbe me tanksa dhe autoblinda e filluan sulmin. Edhe pse pozita jonë ishte solide, sulmi frontal me tanksa dhe autoblinda nuk mund të mbahej gjatë. I shihnim me sy se si binin këmbësorët armiq nga breshëritë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.
Kur tankset u ofruan shumë, komandanti Avdullah Babalia dha urdhër për tërheqje në pozicionin tjetër. Të gjithë u tërhoqëm përpos tre ushtarëve të cilët nuk e kishin dëgjuar urdhërin për shkak të zhurmës së predhave dhe armëve tjera.
Kur ishim rreth 150 metra larg pozicioneve të mëparshme, i pamë shokët tanë që kishin mbetur ende duke luftuar dhe duke mos dëgjuar asgjë. Për një moment, Avdullahu filloi të vrapojë, në drejtim të tyre. Breshësia e automatikëve të armikut e ndiqte pas. Disa ushtarë tjerë provuan ta ndiqnin por duhej të shkonin zvarrë përderisa ai vraponte drejt shokëve.
I arriti dhe filloi t’i tërhiqte një nga një, shpesh edhe për zverku. Të gjithë ne, disa zvarrë duke provuar të ndihmonim e disa tjerë në istikamet rezervë e kemi parë me sytë tanë se çka ishte në gjendje të bënte komandanti i brigadës Avdullah Babalia për ushtarët e tij. Në fund, bilanci ishte 8 ushtarë armiq të vrarë dhe kushedi sa të plagosur. Në anën tanë i kishim vetëm dy ushtarë të plagosur lehtë.
Sot në ditën kur Avdullahu u nda prej nesh, krejt papritur dhe na la të gjithëve zemërthyer, në vend të fjalëve ngushëlluese mendova të ndaj diçka nga ditari im me të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe miqt dhe bashkëluftëtarët e Avdullah Babaliut. Gjeneratat që vinë duhet ta dinë se lufta nuk ka qenë e lehtë.
Ajo është bërë e lavdishme sepse ka pasur luftëtarë si Syla.