Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, tha se nuk beson në suksesin e përpjekjeve të Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, që në Kongresin amerikan të lobojë kundër marrëveshjes së arritur mes fuqive botërore dhe Iranit.
Në intervistën dhënë gazetës Nju Jork Tajms, Obama tha se ndoshta Netanjahu ende mendon se mund të ndikojë në debatin në Kongres, por shtoi se është i bindur se ligjvënësit amerikanë do të jenë në gjendje të mbështesin dhe të zbatojnë marrëveshjen.
Obama të martën mbrojti marrëveshjen e arritur për programin bërthamor të Iranit, duke qartësuar se qëllimi është tejet i qartë që të parandalohet zhvillimi i armëve bërthamore nga ana e Teheranit dhe shprehu bindjen se marrëveshja do të miratohet nga Kongresi.
Netanjahu në ndërkohë u kritikua nga sekretari amerikan i shtetit, Xhon Keri, i cili tha se deklaratat e tij në lidhje me marrëveshjen kanë tejkaluar çdo masë, duke thënë se ajo që është karakteristikë e atyre që kritikojnë, është se nuk ofrojnë kurrë një alternativë.
Netanjahu marrëveshjen me Iranin e cilësoi si një gabim historik, duke thënë se si pasojë e saj, bota sot është një vend më i rrezikshëm.
Kundërshtimi i marrëveshjes nga ana e Netanjahut u kritikua edhe nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, i cili tha se bëhet fjalë për një marrëveshje tejet të përgjegjshme dhe se ajo duhet të analizohet me thellë nga Izraeli dhe të mos kritikohet me ashpërsi. Shefi i diplomacisë gjermane është i mendimit se marrëveshja do ti kontribuojë paqes në Lindjen e Afërt./21Media
