Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, sot organizoi ligjëratën e anëtarit të jashtëm, Oliver Jens Schmitt, me ç’rast Schmitt inauguroi postin e tij si anëtar i jashtëm i ASHK-së. Ai ligjëroi me temën “Ballkanologjia si detyrë shkencore” .
Në këtë ceremoni të veçantë iu dorëzua fletëdëshmia e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës Oliver Schmitt-it, historian dhe anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Austrisë. Fletëdëshminë ia dorëzoi kryetari i Akademisë, akademik Hivzi Islami, i cili e paraqiti edhe arsyetimin për zgjedhjen e tij.
“Na ka tubuar sot profesori dhe studiuesi i shquar në fushën e historisë dhe të historisë shqiptare posaçërisht, organizatori i madh i veprimtarisë shkencore-hulumtuese dhe akademike, miku ynë i respektuar, Oliver Jens Schmitt, anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave, tashmë anëtar i jashtëm edhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i zgjedhur në Kuvendin e saj, të mbajtur më 5 Dhjetor 2012, me propozim të Kryesisë së Akademisë sonë. Sot e kemi rastin t’ia dorëzojmë fletëdeshminë e anëtarit të jashtëm të Akademisë sonë dhe njëkohësisht të ndjekim ligjëratën e tij. Prof. Schmitti është këto ditë këtu edhe për të biseduar në emër të Akademisë të Shkencave të Austrisë për bashkëpunimin midis kësaj Akademie dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe veçanërisht për fushat e shkencave që ai i mbulon” tha kryetari i ASHK-së, akademiku Hivzi Islami. Sipas tij janë të rrallë studiuesit me një moshë të re, çfarë është profesor Schmitti, që kanë gjerësinë dhe thellësinë e interesimeve kaq të gjera shkencore – hulumtuese në fushën e historisë, sikundër që janë të rrallë shkencëtarët që kanë energjinë dhe frytshmërinë e rezultateve në kërkimet e tilla.
“Pjesën më të madhe të punës së tij ia ka kushtuar historisë shqiptare, të vështruar në tërësinë e saj dhe në një kontekst më të gjerë evropian. Tërësitë e mëdha hulumtuese të tij kanë qenë: Arbëria Venetike, Historia e Skënderbeut dhe epokës së tij, Kosova dhe Historia e popullit shqiptar. Të gjitha këto ai i ka vështruar në një horizont më të gjerë të Evropës Juglindore. Ai është një nga të paktit historianë titullarë universitarë aktivë në Evropën Perëndimore sot dhe me moshën dhe formimin e tij garanton se me këto çështje do të merret edhe një kohë të gjatë. Profesor Oliver Jens Schmitt ka shfaqur dhe interesa të tjerë për botën shqiptare dhe ballkanike, është angazhuar në paraqitjen e kësaj bote në aspektin shkencor e kulturor para opinionit të Evropës Qendrore, ndërsa me pozitën që ka në Institutin e Historisë të Universitetit të Vjenës për një kohë të gjatë mund të luajë një rol me peshë në këtë drejtim” shtoj me tej Islami. Ai tha se intensiteti i paraqitjeve të tij të deritashme, cilësia shkencore e studimeve, interesi i shfaqur në vijimësi për historinë shqiptare, vlerësimet që i janë bërë veprës së tij nga historianët dhe të tjerët, na bënë ta zgjidhnim akademik Oliver Jens Schmitt-in anëtar të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në mesin e shumë duartrokitjeve Oliver Jens Schmitt, ligjëratën e tij inauguruese “Ballkanologjia si detyrë shkencore”, e filloi duke thënë që Ballkani paraqet një ndër hapësirat më të vjetra kulturore evropiane.
“Dhe këtu, afër Ulpianës, në një rajon, i cili Perandorisë Romake i ofroi sundues të rëndësishëm dhe i cili në antikitetin e vonshëm paraqiste njërën ndër shtyllat kryesore të ushtrisë romake, trashëgimia kulturore jo vetëm shihet, por është edhe pjesë e vetëkuptimit kulturor. Kush e sheh Ballkanin si hapësirë historike, dhe kështu operon shumica e hulumtuesve të shkencave shoqërore brenda dhe jashtë rajonit, e thekson zakonisht trashëgiminë e perandorive të mëdha, të Bizantit dhe të Perandorisë Osmane. Theksimi i kësaj trashëgimie është njëkohësisht edhe ai konsens që rrjedh nga debatet e gjata rreth konstruktimit të hapësirave në 30 vitet e fundit. Por ky konsens bazohet në një këndvështrim të shkurtuar, sepse lë anash antikitetin” th ai.
“Roma e Parë, dhe jo vetëm e Dyta, ka pasur ndikim vendimtar mbi Ballkanin: dëshmia më e mirë janë ato kombe moderne, të cilat rrjedhin nga shoqëri të vjetra ballkanike, p.sh. rumunët dhe vllehtë e romanizuar si dhe shqiptarët e prekur pjesërisht nga ndikimi kulturor romak. Që Roma e Parë dhe etnitë e akulturuara nga ajo nuk është më pikërëndesë e hulumtimeve jashtë-rajonale, kjo ka të bëjë me një përfundim të gabuar: mendimi se historia e Ballkanit filloka me paraqitjen e elementit sllav dhe se ardhja e sllavëve paska krijuar një tabula rasa. Pse e paraqes këtë vështrim në fillim të shtjellimit mbi ballkanologjinë? E bëj këtë me bindjen se ballkanologjia është ajo shkencë ndërdisiplinore, e cila në kundërshtim me shkencat shoqërore me orientim kombëtar dhe të interesuara vetëm për të tashmen, është e vetmja në gjendje ta përcaktojë vërtetë rëndësinë e këtij rajoni në një kontekst evropian dhe mesdhetar” shtoi me tej Schmitt.
Ai tha se në hap të parë përpiqet të sqaroj se themeluesit jashtërajonalë të ballkanologjisë e kanë parë qartë karakterin e plotësuar me elemente josllave, pra shqiptare, vllahe, greke, rumune dhe më vonë edhe turke dhe rome dhe e kanë realizuar këtë në praktikën e tyre shkencore. Ndërsa sipas tij, në hapin e dytë do të paraqet mendimin mbi Ballkanin, se si është kuptuar ai si hapësirë unike historike dhe kulturore brenda rajonit në shkencë – këtu do të bëhet fjalë për ndërlidhshmërinë mes ballkanologjisë, federalizmit ballkanik dhe ballkanizmit si strategji të thurura ekspansioniste kombëtare.
“Në këtë kontekst hyn edhe historia e ballkanologjisë në kohën e Luftës së Ftohtë si instrument shkencor-politik për kapërcimin e linjave konfliktuale ndërajonale. Në një hap të tretë dhe të fundit përpiqem të vë në pah mundësi të hulumtimeve të sotme mbi Ballkanin. Interesi për gjuhët dhe kulturat e hapësirës së Ballkanit është ngjeshur rreth fundit të shekullit 18 sidomos në hapësirën gjermanishtfolëse. Për t’u theksuar në këtë kontekst është se edhe këta përfaqësues të hershëm të një ballkanologjie avant la lettre shtruan pyetje që diskutohen edhe sot mbi kulturën e rajonit dhe u përpoqën të japin përgjigjet e para: p.sh. raportet reciproke midis gjuhëve të vjetra të Ballkanit, pra raportet midis shqipes, rumanishtes dhe greqishtes, si dhe pozita e tyre ndaj gjuhëve sllave dhe ndaj turqishtes” deklaroi Oliver Jens Schmitt.
Ai ndër të tjera në ligjëratën e tij tha se Johann Thunmann trajtoi sidomos gjuhët e vjetra të Ballkanit, pra ato jo sllave. Sipas tij, përfshirja e gjithë kompleksit gjuhësor dhe kulturor pasoi pastaj në Vjenë nëpërmjet themeluesve të mirëfilltë të një filologjie sistematike të Ballkanit, si Bartholomaus Kopitar dhe Franz Ritter von Miklosich.
“Censura në periudhën pararevolucionare në vitet 1815-1848 kishte për të kontrolluar një numër të madh gjuhësh të monarkisë. Kontroll pa kuptim, kontroll pa normim është vështirë e mundur të ketë. Dhe kështu erdhën paralelisht censura, normimi i gjuhëve dhe kontrolli i tyre. Por kufinjtë gjuhësorë nuk përputheshin me kufijtë politikë. Në kohën e Kopitarit dhe të Miklosichit hapësira e Ballkanit ishte kryesisht njësi politike nën Perandorinë Osmane; shteti i vogël grek i përzier etnikisht në periferinë jugore dhe shteti i pavarur dhe po ashtu i vogël serb nuk luanin pothuaj fare ndonjë rol. Nga Vjena këta dijetarë shihnin një hapësirë politike unike, gjë që ua lehtësonte përfshirjen e një hapësire më të madhe kulturore” tha ai.
Ndërsa në fund, Schmit tha se sipas mendimit të tij, një sfidë kryesore për një ballkanologji me orientim historik paraqet pikërisht kjo, që kjo evidencë të bashkohet me teori përkatëse. Këtë mund ta realizojnë studiues të formuar për këtë qëllim: pikërisht në një kohë, ku kompetencat përkatëse filologjike reduktohen, është detyrë strategjike të formojnë një grup të vogël studiuesish, dhe këtu akademitë duhet të marrin një rol udhëheqës.
Muaji shtator u tha se do ta sjell përsëri Oliver Jens Schmitt në Kosovë për të ligjëruar mbi tema të tjera po aq të rëndësishme si kjo e sotmja, raporton Kultplus.
