Papa Françesku i bëri thirrje sot presidentit të Rusisë, Vladimir Putin të “bëjë përpjekje më të mëdha dhe më të sinqerta” që Ukrainës t’ia sjellë paqen.
Kreu i Kishës Katolike u takua me Putinin i cili po qëndron në vizitë njëditore në Itali. Dy liderët gjithashtu biseduan edhe për situatën në Lindje të Mesme me një fokus të veçantë në Siri dhe Irak.
Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi ka thënë se Papa u bëri thirrje dy palëve ndërluftuese në lindje të Ukrainës për armëpushim në përputhje me marrëveshje e arritur në Minsk,shkruan (AA).
Ukraina është e përfshirë nga lufta prej më shumë se një vit, ndërsa Perëndimi akuzon Rusinë se përkrahë kryengritësit ukrainas. Gjithashtu, Rusia akuzohet se po dërgon ndihmë ushtarake për forcat pro-ruse gjë të cilën Moska zyrtare e mohon.
Putin gjatë vizitës së tij në Itali u takua me kryeministrin italian, Matteo Renzi në Milano.
