Diku pas orës 10:00 të paradites, rektori Ramadan Zejnullahu arriti në oborrin e rektoratit ku edhe u përballë me protestuesit që po e prisnin aty. Duke brohoritur “jashtë” jashtë” protestuesit, të vendosur me bllokimin e hyrjes së këtij institucioni, i thanë Zejnullahut që po e shkelë ligjin duke ua mohuar atyre të drejtën e regjistrimit.
Rektori tha se në këtë drejtim nuk ka se çka bëhet më, dhe studentët veç sa po humbin kohë aty. Ai iu tha se bllokada nuk është rruga e zgjidhjes së problemeve.
Duke parë studentët që kanë zënë hyrjen, rektori Zejnullahu veç sa debatoi pak me ta dhe u kthye prapa.
“Unë erdha vetëm të iu sqaroj që atyre nuk iu është bërë asnjë e padrejtë sepse nuk janë ankuar. Në atë rast kisha me ndërmarrë masa, më nuk ke di çka bëjë”, tha ai.
Zejnullahu tha se nuk mund të kërkohet të rritet numri i studentëve, sepse konkursi dhe të gjitha procedurat tashmë kanë përfunduar dhe më nuk do të mirret me këtë punë.
Megjithatë, kandidatët për studentë që e kaluan natën pranë dyerve të ndërtesës së rektoratit, nuk e kanë ndër mend të ndalen.
“Deri të plotësohet kërkesa jonë do të kalojmë çdo ditë të mundshme”, thotë përfaqësuesja e kandidatëve, Lyra Namani.
Para orës shtatë të mëngjesit, kandidatët që po protestojnë pranë rektoratit, u pozicionuan para derës ndërtesës së rektoratit dhe nuk lejonin asnjë punonjës të këtij institucioni që të hyjë brenda.
Derisa qëndruan tërë natën jashtë, Lyra Namani tha se nuk u kontaktuan nga askush që do të pyeste për gjendjen e tyre./kp/
