Sot në Prishtinë u inaugurua memoriali “Heroinat”, monument i cili u kushtohet sakrificës dhe kontributit të gjithanshëm të gruas kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Ky memoriali i cili ishte iniciativë e deputetes së LDK-së, Alma Lama dhe u ekzekutua nga Qeveria e Kosovës, u zbulua nga presidentja e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga ,kryeministrit të saj, Isa Mustafa dhe rrjetit të grave.
Mustafa tha se memoriali shënon një kthesë historike jo vetëm në historinë e kombit shqiptarë por edhe në institucionet tona. Kjo sipas Mustafës duhet parë si një njohje sublime dhe tragjike për të gjitha humbjet e grave në historinë tonë.
“Këtë memorial duhet parë edhe si një mirënjohje sublime dhe artistike dhe shtetërore, për të gjitha përjetimet tragjike të gruas shqiptare në tmerret e kësaj lufte por edhe gjatë historisë sonë kombëtare. Memoriali heroinat nderon në mënyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të luftës së gruas në Kosovë, kur në kushte tmerrësisht të rënda gjersa populli ynë përjetonte vuajtje e tragjedi përmasash apo kaliptike, guraja kujdesej për fëmijët, për pleqtë për të plagosurit”, tha Mustafa.
Po ashtu, ai shtoi se nderimi i gruas është pjesë e rëndësishme në kulturën tonë historike dhe se sot roli i saj është i jashtëzakonshëm duke filluar në institucionet edukative e deri në ato më të larta të vendit tonë.
Deputetja Lama tha se ky memorial u kushtohet kontributit të gjithanshëm të grave gjatë luftës së fundit.
“Në këtë ditë kemi vendos edhe të inaugurojmë memorialin heroinat, një memorial i cili i kushtohet kontributit të grave gjatë luftës, ky kontribut është i gjithanshëm, është kontribut i atyre grave të cilat, dhe vajzave të cilat nuk nguruan t ë marrin armët në dorë, dhe të dalin të luftojnë për liri duke dhënë jetën, i atyre grave, nënave, motrave të cilat kishin barrën më të rëndë në luftë”, tha Lama.
Lama kërkoi nga ana e kryeministrit që në buxhetin e ardhshëm të ndaj ca para edhe për një lulishte të bukur pranë këtij memoriali, në mënyrë që të gjitha ata që shkojnë për ta vizituar të mund edhe të sodisin e të kenë hapësirë për të medituar.
Ky memorial u vendos përball Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
