Pjesa më e madhe e refugjatëve nga vatrat e krizës, të cilët tashmë kanë arritur në Evropë, si destinacion përfundimtar e kanë Gjermaninë. Gazeta Nju Jork Tajms në një shkrim për krizën shpjegoi se pse refugjatët e preferojnë pikërisht Gjermaninë dhe i shmangën shteteve tjera, siç është për shembull Franca.
Përderisa Gjermania po përballet me numrin e madh të refugjatëve, të cilët po hyjnë në këtë vend, gazeta amerikane, Nju Jork Tajms, shpjegoi arsyet se pse refugjatët nuk dëshirojnë të qëndrojnë në shtetet tjera dhe se pse si destinacion përfundimtar kanë Gjermaninë.
Më shumë se çdo shtet tjetër evropian, që po përballet me valën e refugjatëve, Gjermania, përndryshe ekonomia më e madhe në Evropë, popullata e së cilit vend po plaket dhe i cili ka nevojë për fuqi punëtore, valën e refugjatëve e sheh jo vetëm si një sfidë, por edhe si një mundësi.
Edhe pse gjermanët tashmë kanë rikthyer kontrollet në kufij, për të mbikëqyrë më lehtë hyrjen e refugjatëve, qëllimi i Qeverisë së Gjermanisë është që të asimilojë ata dhe në vend se të jetojnë në kurriz të shtetit, Berlini do t’iu ndihmojë atyre që ti kontribuojnë ekonomisë.
Sipas disa vlerësime, Gjermania ka punë për të gjithë refugjatët, pasi që ka mungesë të fuqisë punëtore, ndërsa numri i pensionistëve në këtë vend po rritet.
Një pjesë e madhe e refugjatëve janë njerëz të edukuar, me zeje të ndryshme, të cilët mund të mbajnë gjallë ekonominë.
Javën e kaluar, punëdhënësit e mëdhenj në Gjermani, siç janë Posta e Gjermanisë dhe prodhuesi i automjeteve, Dajmler, kanë kërkuar ndryshimin ligjeve gjermane të punës, në mënyrë që azilkërkuesit të punësohen më shpejtë.
Dhe përderisa refugjatët që po kalojnë Detin Mesdhe po ja mësyjnë Gjermanisë, ata në përgjithësi po i shmangën Francës.
Arsye për këtë janë papunësia, burokracia dhe mungesa e higjienës dhe e kushteve në strehimoret e azilkërkuesve.
Krahas papunësisë, e cila arrin nivelin prej 10 për qind, në Francë azilkërkuesve nuk ju lejohet që të punojnë, gjatë kohës sa vlerësohen kërkesat e tyre për azil, proces ky i cili në Francë mund të zgjasë deri në nëntë muaj./ 21 Media
