Të indinjuar me rastin e sulmit të rëndë ndaj kryetarit të Komunës dhe familjes së tij, punëtorët e Komunës së Vushtrrisë sot paradite për gjysmë ore kanë protestuar para hyrjes së ndërtesës së Komunës. Në kohën derisa është mbajtur protesta edhe është ndërprerë puna në administratën komunale.
Para protestuesve, në emër të administratës komunale ka folur Izet Miftari, zyrtar komunal, i cili sulmin e djeshëm ndaj kryetarit Mulaku e ka quajtur sulm ndaj shtetit. “Sulmi ndaj kryetarit Mulaku nuk është sulm vetëm ndaj tij por edhe ndaj institucionit të shtetit, sulm ndaj komunës dhe administratës së saj”, ka thënë ai.
Dje në mëngjes kryetari Bajram Mulaku e përmes tij edhe Komuna e Vushtrrisë, u sulmuan nga persona, thjeshtë si shantazh për realizimin e interesave personale të tyre në rrugë të paligjshme. Por kryetari Bajram Mulaku dhe administrata e Komunës nuk do të dorëzohen para këtyre sulmeve, që për fat të keq nuk janë të parat, por që shpresojmë të jetë i fundit. Ne do të vazhdojmë të jemi në shërbim të qytetarëve, por nuk do ti nënshtrohemi shantazheve, kërcënimeve e sulmeve, ka thënë Miftari.
