Rama falenderon votuesit, PD shpall fitoren e zgjedhjeve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar zgjedhësit, pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Ai thotë se këto zgjedhje ishin të ndershme dhe brenda standarteve.
“I falenderoj me respekt të gjithë qytetarët e qytetaret që u bënë pjesë e votimit të sotëm, pavarësisht se për kë votuan, dhe u shpreh me përulësi mirënjohjen të gjithë atyre që me votën e tyre e investuan besimin tek kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Kjo video e shkurtër është kartolina e falenderimit tim për të gjithë zgjedhësit e këtij 21 qershori historik. Sot u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar që nga nesër do të jetë një shtet më modern. U vulos vendimi historik për të barazuar përfaqësimin e grave me burrat në kuvendet e reja vendore të Shqipërisë. U vendos status i barabartë qytetarie mes banorëve të qytetit dhe fshatit dhe u hap një epokë e re në marrëdhëniet mes familjeve që jetojnë në fshat dhe qeverisë vendore.
Ju të gjithë, të majtë e të djathtë, me apo pa parti, njerëz të zakonshëm qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, i bëtë zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më sot. Po padyshim, edhe më domethënëset në historinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri”, shkruan Rama.
Ndërkohë, menjëherë pas përfundimit të orarit zyrtar, Partia Demokratike ka shpallur fitoren e zgjedhjeve me anë të Edi Palokës.
Sipas tij, Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet në Shqipëri.
Megjithatë, ai thotë se dita e zgjedhjeve u shoqërua me incidente dhe me presione.