Raporti i Progresit i njëjtë me atë të vitit të kaluar

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Mungesa e sundimit të ligjit, mos luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë përsëri kritikat që pritet të jenë në raportin e progresit që do të publikohet këtë vit për Kosovën nga Komisioni Evropian. Partitë politike parlamentare në pozitë dhe opozitë, shoqëria civile, por edhe vet Qeveria e Kosovës pranojnë se vërejtjet kryesore edhe në këtë raport do të jenë në fushën e sundimit të ligjit. Ndonëse, përfaqësuesit e Qeverisë thonë se do të ketë edhe përparim në disa fusha nga raporti i vitit të kaluar.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha për KosovaPress se raporti i progresit po e paraqet gjendjen reale të zhvillimeve në Kosovë dhe ka shumë vite që sfidat kryesore janë pikërisht në fushën e sundimit të ligjit, të cilat pritet të jenë të njëjtat edhe këtë vit.
Ajo thotë se kritika do të ketë edhe në reformën në administratë, pasi mungesa e profesionalizimit dhe politizimi i tej skajshëm i administratës kanë qenë probleme me vite me radhë.
Deputetja Osmani ka theksuar se edhe pse nuk do të jetë dominues, raporti i Progresit do të flas edhe për dështimin e institucioneve që të themelojnë Gjykatën Speciale, sepse kjo paraqet dështim të drejtësisë.
Ndërsa, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj-Bujupi thotë se nga viti i kaluar nuk ka pasur rritje të sundimit të ligjit, por vetëm degradim dhe mos luftim të krimit dhe korrupsionit, çka do të bëjë që fokusi kryesor i raportit të sivjetshëm të progresit të j etë në mungesën e sundimit të ligjit. Sipas saj, në tri shtyllat kryesore, sundim të ligjit, reformë ekonomike dhe reformë në administratë, raporti jo që s’do të ketë progres, por do të ketë regres.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu pret që adresimi i sfidave në raportin e progresit të këtij viti për Kosovën të jenë përafërsisht ato sfida të cilat kanë qenë edhe në raportin e kaluar. Deliu thotë se bllokada institucionale gjashtë mujore do të jetë determinuese në këtë raport.
Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për KosovaPres se edhe këtë vit raporti i progresit do t’i evidentoi ngecjet e vitit të kaluar në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformën në administratë, e cila ka filluar që gjashtë vite dhe ende nuk ka përfunduar.
Sipas tij, i vetmi progres që mund të evidentohet në raport është miratimi i nëntë ligjeve, katër të pakos gjyqësore, një që është ligji për përgjimet dhe katër në fushën e të drejtave të njeriut, por përsëri do të theksohet mungesa e zbatimit të tyre.
Jo fort pozitiv raportin e progresit po e presin edhe institucionet e vendit, ndonëse ka pasur progres në disa fusha. Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku tha për KosovaPress se pos evidentimit të progresit, kritika pritet të ketë në shumë fusha në kuadër të punës së institucioneve të Kosovës, sidomos sundimi i ligjit.
Sipas tij, gjithë qytetarët e këtij vendi janë të etur që të shohin progres më të madh në çdo fushë, duke përfshirë edhe fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, por në mënyrë të veçantë reformat ekonomike, rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale për qytetarët e Kosovës.
Komisioni Evropian aktualisht është në fazën e mbledhjes së të dhënave të përformancës së institucioneve të Kosovës në adresimin e sfidave që rrjedhin prej raportit të kaluar. Brenda një muaji do të jetë një draft i parë i cili do ta vlerësoj përfomancën e institucioneve. Derisa raporti final pritet të publikohet në fillim të tetorit