Rreth 150 imigrantë kanë hyrë natën e kaluar nga Sllovenia në Austri, që paraqet kalimin e parë të refugjatëve nga Lindja e Afërme të kufirit mes këtyre dy vendeve.
Siç njoftuan mediat austriake, refugjatët menjëherë janë transportuar në qytetin Shpilfeld në jug të vendit, prej nga pritet të dërgohen në qendrat e refugjatëve në Grac dhe Feldkirhen.
Policia austriake informoi se refugjatët kanë hyrë përmes disa vendkalimeve kufitare, duke shtuar se gjatë ditës së sotme pritet arritja e grupeve të reja.
Autoritetet sllovene kanë formuar qendra për pranim dhe regjistrim të refugjatëve në vendin Gornja Radgona, në afërsi të kufirit me austrinë, prej nga imigrantët më vonë pritet të kalojnë në territor austriak.
Ministrja austriake e Punëve të Brendshme Johanna Mikl-Leitner dje deklaroi se është e habitur që asnjë nga refugjatët ilegalë që kaluan nëpër Kroaci dhe Slloveni s’ka kërkuar azil në ato vende, duke shtuar se Rregullat e Dublinit për azil në BE vlejnë edhe për to, kështu që Austria do të inicojë kthimin e refugjatëve që hyjnë në territor të saj në këto dy vende.
Ndërkohë, policia austriake njoftoi se deri mbrëmë rreth 6.700 refugjaë kanë hyrë në Austri edhe nga territori i Hungarisë.
Mediat austriake lajmërojnë se imigrantët të cilët, kur pas endjes disaditëshe nga një vend në një tjetër të rajonit kanë arritur në Austri nga Hungari, nuk e kanë fshehur kënaqësinë që më në fund kanë hyrë në një vend të Evropës Perëndimore.
