Shumë refugjatë, të cilët kanë mbetur të ngujuar në Kroaci, bënë përpjekje të reja për të lëvizur më tutje drejtë veriut, përkundër masave të ndërmarra nga Sllovenia dhe Hungaria për ti ndalur ata. Të premten në mbrëmje, policia sllovene përdori gaz lotsjellës, për të shpërndarë një grup të refugjatëve, të cilët tentuan të hyjnë nga Kroacia në territorin slloven. Në anën tjetër Hungaria akuzoi Kroacinë për shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi që ktheu prapa në territorin hungarez refugjatët, pa i regjistruar ata paraprakisht.
Sipas autoriteteve hungareze, një tren me rreth 1 mijë refugjatë, nën përcjelljen e 40 policëve kroatë, ka hyrë pa paralajmërim në territorin e Hungarisë. Sipas medieve hungareze, policët kroatë janë çarmatosur nga kolegët e tyre hungarezë dhe janë kthyer prapa në territorin kroat. Megjithatë, ministria e Brendshme e Kroacisë i cilësoi si të pavërteta pohimet e medieve hungareze. Që nga fillimi i javës, me mijëra refugjatë kanë hyrë nga Serbia në Kroaci, pasi që Hungaria mbylli kufijtë me Serbinë.
Kroacia fillimisht theksoi se refugjatët janë të mirëseardhur, por të premten autoritet në Zagreb njoftuan se vendi nuk ka kapacitete për tu përballur me një numër kaq të madh të refugjatëve. Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, deklaroi se Kroacia do të lejojë refugjatët që të kalojnë territorin kroat, për të hyrë në shtetet tjera. Kjo qasje e Zagrebit ka hidhëruar Slloveninë dhe Hungarinë, autoritetet e të cilave shtete akuzuan Kroacinë për përfshirje në trafikun me qenie njerëzore. Megjithatë, autoritetet sllovene sot në mëngjes lejuan hyrjen e një grupi të refugjatëve, të cilët ishin tubuar në kalimin kufitar Rigonce. Të parët që u lejuan të hyjnë në territorin kroat ishin familjet me fëmijë, që u dërguan më pas në një qendër për pranimin e refugjatëve. Siç dihet, Bashkimi Evropian javën që vjen do të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm, në të cilin do të diskutohet për kuotat për shpërndarjen e refugjatëve në shtetet e unionit. Siç dihet, shumë shtete po kundërshtojnë këtë masë, me Çekinë dhe Sllovakinë të cilat paralajmëruan./21Media
