Rënia e Greqisë, gabimet dhe fajet

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Nga Danilo Taino
Pra në fund e bënë: Aleksis Cipras dhe Janis Varufakis e zhvendosën mbi supet e qytetarëve grekë alternativën ndërmjet të pranuarit të programit të kreditorëve, dhe për rrjedhojë të qëndrojnë në unionin monetar, ose ta refuzojnë dhe për rrjedhojë të ndërmarrin rrugën e daljes.
Në emër të një ideje luhatëse të demokracisë: unë, qeveria, dështova në bisedime; tani shih e bë vetë, popull. Një zgjedhje e katranosur, që e përshkallëzon situatën, por që Syriza e ka mbajtur si një kartë për ta luajtur në fund të lojës që kur i fitoi zgjedhjet më 25 janar. Cilido qoftë rezultati i referendumit të caktuar për të dielën e ardhshme, kriza që është hapur është ndoshta më e rënda në historinë e Bashkimit Europian, dhe jo vetëm e Eurozonës.
Përgjegjësitë janë kryesisht të qeverisë së majtë të Athinës. Gjatë gjithë kohës në bisedimet me kreditorët (BE, BQE, FMN), kryeministri Tsipras dhe ministri i Financave Varufakis nuk kanë lënë asnjëherë përshtypjen se po vepronin me mirëbesim, me qëllim që ta arrinin marrëveshjen. Nuk e kanë marrë asnjëherë seriozisht në konsideratë  idenë për të bërë reforma të atilla që ta bënin Greqinë një vend që arrin të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare; kanë refuzuar propozime që ishin gjithnjë e më shumë në favorin e tyre; kanë bërë hapa prapa në krahasim me vendimet e marra nga qeveritë e mëparshme. Mbi të gjitha, i bindën partnerët se synonin vetëm paratë e europianëve, pa dhënë garanci në këmbim. Vendimi për të bërë referendum, një heqje dorë nga përgjegjësitë, edhe sikur të bëhej fjalë për një taktikë të marrë negociuese për t’i përkulur kredidhënësit, e ka mbyllur rrethin.
Kjo nuk do të thotë se 18 anëtarët e tjerë të eurozonës kanë lëvizur në mënyrë të shkëlqyer. Ka munguar një udhëheqësi politike që të ishte në gjendje t’i jepte një kuptim politik asaj që po ndodhte. Negociatat e pashmangshme teknike mbetën i vetmi terren i bisedimeve. Edhe Angela Merkel nuk arriti të zhvillonte një minimum lidershipi që ta zhvendoste diskutimin nga një përplasje e thjeshtë llogarish mes huadhënësve dhe huamarrësve në një perspektivë politike që t’ia bënte të vështirë Syrizës që ta refuzonte marrëveshjen.
Gjatë pesë muajsh negociata – ose të aplikimit të Teorisë së Lojërave, siç mund të thoshte Varufakis – i vetmi institucion që ka luajtur një rol ka qenë BQE-ja e Mario Dragit. Jo vetëm sepse, pavarësisht situatës së rëndë, vijoi t’i furnizonte bankat greke me injeksione periodike të hollash emergjence që i mundësuan ato të mos falimentonin, përballë tërheqjeve të gjera të qytetarëve të shqetësuar përbri mundësisë që t’i gjejnë llogaritë bankare të kthyera në dhrahmi. Por, mbi të gjitha, sepse me programin e blerjes mujore prej 60 miliardësh të titujve nëpër tregje, Dragi krijoi kushtet për të aktivizuar efektin e mundshëm ngjitës të krizës helene.
Në këtë pikë, BQE-ja duhet të lëvizë brenda rregullave, që i ndalojnë të japë para për bankat nëse nuk ka në fuqi një program ndihmash për Greqinë (skadon të martën). Por do të jetë e nevojshme të bëhet një kapërcim cilësor, duhet dhënë ideja se jo vetëm që Greqia është një rast i papërsëritshëm, por edhe se eurozona mëson nga krizat dhe di ta rivizatojë arkitekturën që mbështet monedhën. Në të kaluarën, Dragi dhe Merkel kanë ditur të zhvillojnë një lidership të përbashkët në këtë fushë: tani janë sërish përballë një prove, që është ajo më e vështirë. Dhe më e rëndësishmja: edhe për grekët.
Corriere della Sera