Rrugëtimi drejtë Gjermanisë që po paguhet me jetë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Supozohet se që nga fillimi i konfliktit në Siri, në vitin 2011, më shumë se 12 milionë njerëz janë detyruar të arratisën nga vendet e tyre. Bëhet fjalë për gjysmën e popullatës së vendit.
Pjesa më e madhe e tyre janë zhvendosur brenda Sirisë, ndërsa mbi 4 milionë janë arratisur nga vendi.
Vala e parë prej tyre vërshoi shtetet fqinje. Në Turqi gjenden mbi 1 milionë refugjatë sirianë, e situata është edhe më dramatike në shtetet më të vogla, siç janë Libani dhe Jordania.
Pasi që po përballen me sulmet brutale të grupeve të ndryshme të armatosura në Siri, në veçanti ato të Shtetit Islamik, njerëzit në mënyrë konstante po detyrohen të braktisin shtëpitë e tyre. Statistikat flasin se bëhet fjalë për krizën më të madhe të refugjatëve, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Pamja fillestare, në të cilën populli i shtypur u ngrit për të përmbysur diktatorin, u shndërrua në një kaos total, në të cilin është vështirë të kuptohet se kush po vret kënd, ndërsa për të gjithë aktorët e përfshirë në konflikt civilët, për shkak të dallimeve të ndryshme fetare dhe të tjera, paraqesin një shënjestër të preferuar.
Për këtë arsye, shumica e sirianëve ja kanë mësyrë Evropës, para se gjithave Gjermanisë. Për këtë udhëtim, ata paguajnë mbi 2 mijë euro për njeri.
Për fat të keq, ky udhëtim drejtë Gjermanisë shpesh po përfundon si udhëtim në botën tjetër. Rrezikimi i jetëve është pjesë e këtij udhëtimi. Vetëm këtë vit, gjatë përpjekjeve për të hyrë në Evropë, kanë vdekur mbi 2800 refugjatë. Nga viti 1996 deri në vitin 2014, mbi 22 mijë njerëz kanë humbur jetën gjatë këtyre përpjekjeve./21Media