Rusia, kërcënimi më i madh për sigurinë e SHBA-së

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Zyrtarja e lartë e forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Debra Li Xhejms, e ka cilësuar situatën aktuale me Rusinë si kërcënimin më të madh dhe ka paralajmëruar mundësinë e dërgimit të aeroplanëve luftarak F22 në Evropë.
Sipas fjalëve të saj, forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë duke shqyrtuar planin e shtimit të forcave në Evropë.
Gjatë vizitës së saj në Francë, Xhejms deklaroi se ky është vetëm fillimi dhe qartësoi se kërcënimi më i madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderohet situata aktuale me Rusinë dhe aktivitetet e saj.
Ajo më tutje shtoi se nuk sheh ndonjë arsye se pse aeroplanët F22 të mos stacionohen në Evropë.
Pas Francës, Xhejms do të vizitojë edhe Britaninë, Italinë, Qipron, Poloninë dhe Gjermaninë.
Deklaratat e Xhejmisit u bënë vetëm disa ditë pas publikimit të propozimit të Pentagonit për të stacionuar automjetet e blinduara amerikane në shtetet e Baltikut dhe Evropës Lindore.
Rreth këtyre planeve ka reaguar sot ministria e Jashtme e Rusisë, e cila deklaroi se shpreson se plani për të stacionuar automjetet e blinduara amerikane në kufijtë me Rusinë nuk do të realizohet dhe se shpreson se në Uashington do të mbizotërojë arsyeja.
Në kumtesën e ministrisë u theksua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shfrytëzojnë mitin për kërcënimin rus, për të arsyetuar planet e veta për vendosjen e teknikës së rëndë ushtarake në disa shtete të Evropës, si dhe për ti ikur përgjegjësisë për ngjarjet në Ukrainë./21Media