Serbia dhe Kroacia hapin kufijtë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Pas krizës njëjavore në brezin kufitar, Serbia dhe Kroacia vendosën të shfuqizojnë masat, çdo gjë ju kthye normalitetit, por tani po shtrohet pyetja se sa janë dëmtuar marrëdhëniet edhe ashtu të brishta mes dy vendeve.
Kryeministrat e dy shteteve, ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ai i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ishin mysafir në televizionet shtetërore të palës tjetër. Përderisa Vuçiq tha se Serbia ka qenë e detyruar të ndërmerr kundërmasa, kolegu i tij kroat tha se është mik i serbëve.
Vuçiq ishte mysafir në televizion shtetëror të Kroacisë, HRT, dy orë pasi që Zagrebi zyrtar kumtoi se ka vendosur të zhbllokojë kufirin me Serbinë për kamionët me mallra dhe për automjetet tjera, ndërsa Milanoviq ishte mysafir në ditarin qendror të RTS-së, disa orë para se Serbia të reagonte me shfuqizimin e kundërmasave nga ana e saj.
Kryeministri i Serbisë tha se qeveria e Kroacisë është e mirë, duke theksuar se nuk dëshiron të komentojë motivet e veprimeve të saj të fundit.
Milanoviq pati një paraqitje shumë më emotive dhe shpjegoi deklaratën e tij, e cila u publikua në faqen e parë të të gjitha gazetave në Serbi, përcjellë me komente negative.
Më saktësisht, ai në një deklaratë kishte përdorur fjalët serbët dhe barbarët, por Milanoviq tha se me këtë rast ka menduar në deklaratat e zyrtarëve hungarezë, të cilët kishin theksuar se të gjithë kah jugu janë barbarë dhe se për këtë arsye është duke ngritur rrethoja në kufijtë e vet.
Duket se rolin vendimtar në zgjidhjen e krizës e pati Komisari evropian për politikë të fqinjësisë, Johanes Han, i cili kërkoi gjatë vizitës së tij në Serbi heqjen e menjëhershme të masave kufizuese, të vendosura nga Zagrebi dhe Beogradi.
Kjo ndodhi vetëm disa orë pas kërkesës së tij, përkundër faktit se status kuoja në kufi do të vazhdojë deri të hënën.