Festën e Bajramit në fshatin e Shipkovicës e zbehu rrëshqitja e dheut që ndodhi sot në orët e para të mëngjesit. Pas vërshimeve që ndodhën në gusht, kjo ngjarje riktheu shqetësimin e banorëve të kësaj ane. Të gëzuar që të gjithë shpëtuan, por të trishtuar sepse edhe fëmijët u ndalën nga mësimi. Nxënësit që vijnë nga tri fshatrat përreth, sot nuk shkuan në shkollë, meqë rruga që çon atjë ishte e rrezikshme për t’u kaluar. Krejt kjo ndodhi, sipas banorëve, sepse u shembën muret mbrojtëse.
“Prej kur e kanë ndërtuar është e ndërtuar ‘fallc’ dhe rëndësia e kanë bllokuar ketë pjesë të fshatit. E gjitha ka qenë e zënë, pra nxënësit nga Veshalla, Bozofca, Brodeci dhe Shipkovica nuk kanë arritur të shkojnë në shkollë. Të pasdites kanë arritur të shkojnë, mirëpo të mëngjesit jo”, thotë Shukri Tahiri, banor i fshatit.
Banorët e kësaj lagje mbeten të izoluar dhe pa kyçje në rrugë. Përveç rrugës që është shembur sot, në këtë lagje kishte edhe një rrugë dytësore për kyçje në rrugën kryesore, e cila mbetet ende e parregulluar pas vërshimeve të fundit.
Kryetari i Shtabit të Emergjencës deklaroi se Komuna e Tetovës ndihmoi në hapjen e rrugës dhe premtoi që prej nesër do fillojë rinovimi i murit mbrojtës. Ai tha se ndërhyrja e shpejtë është urgjente, sepse rrezikohen shumë shtëpi në fshat.
“Më lajmëruan se është shembur dhe dolëm këtu. Rruga ishte e bllokuar dhe intervenuam në organet e komunës. Nga ora 11 ata arritën këtu dhe u organizuam për ta hapur rrugën. Ata na premtuan se që nga nesër do të marrin hapa konkretë, edhe për pastrimin edhe për fillimin e ndërtimit, po do të shohim sa do realizohen. Çdo shembje e një dheut tërheq edhe pjesën tjetër, nëse nuk merren hapa konkretë sa me shpejt mendoj se mund të na shembet edhe pjesa tjetër. Siç e shihni, edhe kjo shtëpi është në atë pjesën e rrezikshme”, theksoi Dashmir Sadiku, kryetar i Shtabit për Emergjencë të Shipkovicës.
Katër fshatrat Veshalla, Bozofca,Brodeci dhe Shipkovica, tëcilat humbën rrugën pas shiut të së enjtes që ua rrëzoi murin mbrojtës, mbesin me shpresë se komuna do t’u dal zot së shpejti, sepse druajnë nga rreziku që mund të sjellë ndonjë rrebesh tjetër shiu.
